Kelimutu është një vullkan i vogël, në ishullin indonezian Flores, pranë qytezës Moni. Në majë këtij vullkani gjenden tri liqene me ngjyra të ndryshme, të formuar në krateret e tij.
Edhe pse ndodhen në majë të të njëjtit vullkan dhe janë shumë afër njëri-tjetrit, këto liqene kohë pas kohe i ndryshojnë ngjyrat e kuqe e kafe në bruz e gjelbër, përfshirë edhe nuancat ndërmjet tyre dhe atë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.
Falë këtyre ngjyrave specifike të liqeneve dhe mjegullës së dendur përreth majës së tij, ky vullkan konsiderohet një vend i shenjtë. Banorët lokal besojnë se shpirtrat e të vdekurve shkojnë në njërin prej tri liqeneve, e në cilin do të shkojnë ata varet prej asaj se si janë sjellë gjatë jetës në këtë botë.
Për këtë këto liqene edhe quhen Tiwi Ata Mbupu (Liqeni i pleqve), Tiwu Nua Muri Kooh Tai (Liqeni i djemve dhe vajzave) dhe Liqeni Tiwu Ati Polo (Liqeni i shpirtërave të këqij).
Në kontekstin shkencor në këta liqej nuk ka asgjë mbinatyrore apo mistike. Ngjyra e tyre ndryshon varësisht nga reaksionet kimike të mineraleve që gjenden në liqej, të cilat shkaktohen nga aktiviteti i gazit vullkanik.
Historikisht, liqejt kohë pas kohe kanë qenë burim i shpërthimeve të vogla të këtij vullkani të lartë 1639 metra. Në ditët e sotme ai është i qetë dhe ua mundëson gjeologëve, fotografëve dhe turistëve që ta vizitojnë çdo ditë, ta studiojnë dhe të kënaqen me bukurinë e tij unikate. /NGJYRA.COM/