Perandorët kinezë janë varrosur së bashku me thesarin të cilin mund ta përdornin në jetën e përtejme pas vdekjes së tyre, ndërsa perandori i parë kinez do të mbahet mend përgjithmonë për thesarin e tij: ushtrinë masive – Ushtrinë prej Terrakote (italisht: Terrakota-tokë e pjekur/ argjilë e pjekur jo e zmaltuar).
Perandori i parë kinez, Qin Shi Huang ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë kineze. Ai kishte bashkuar vendin dhe kishte filluar ndërtimin e murit, i cili në ditët e sotme njihet botërisht si Muri Kinez.
Ai ishte bërë perandor në moshën 13 vjeçe, ndërsa kishte ndërruar jetë në atë 49 vjeçe. Kur kishte marrë fronin, një nga urdhërat e tij të parë kishte qenë ndërtimi i varrit të tij, në të cilin ishte vendosur ushtria prej Terrakote, e cila do ta shoqëronte dhe mbronte atë në jetën e përtejme.
Ushtarët prej argjile, që datojnë nga shekulli i 3-të para erës sonë, janë zbuluar në vitin 1974 nga fermerët lokalë të Qarkut Lintong, Xi’an, në Provincën Shaanxi.
Figurat në këtë varr përbëhen nga luftëtarët, karrocat dhe kuajt. Vlerësohet se aktualisht në tri varre ka më shumë se 8000 ushtarë, 130 karroca lufte, 520 kuaj dhe 150 kalorës, shumica e të cilëve janë ende të varrosur në varrezat pranë mauzoleut Qin Shi Huang.
Përveç ushtarëve, në varre ka edhe zyrtarë, akrobatë, njerëz me ndikim dhe muzikantë.
Numri masiv i figurave prej argjile është mbresëlënës në vetvete, por edhe më mbresëlënës është fakti se çdo figurë është e ndryshme me tiparet unikate të fytyrës.
Ky lokacion, i vjetër më shumë se 2000 vjet, aktualisht është një nga gërmadhat më të vjetra ekzistuese dhe më të rëndësishme arkeologjike në botë.
Nga viti 987 ky sensacion arkeologjik është në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. /NGJYRA.COM/