Turqia së shpejti do ta ketë qytetin e ri, të quajtur Stambolli i Ri, ndërkaq qyteti “supermodern” me rreth një milion banorë do të jetë i ndërtuar në bregun e Detit të Zi.
Njëra ndër ndërtesat e tij kryesore do të jetë aeroporti më i madh në botë, me gjashtë pista, që do të bëjnë të mundshme pritjen dhe përcjelljen e njëqind milionë udhëtarëve brenda një viti.
Qyteti i ri “i gjelbër” i ndërtuar në harmoni me parimet më të larta ekologjike, do të shtrihet në 40.000 hektarë.
Këtë ndërmarrje ndërtimore e përgatit Qendra e Planifikimit të Qytetit, nën drejtimin e arkitektit të famshëm botëror dhe urbanistit nga Amerika, Sidney Rasekh.
Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, dëshiron që çdo gjë të jetë në mënyrë perfekte deri në vitin 2023.
Autori i kësaj ideje nga Amerika paralajmëron që Stambolli i Ri do të jetë metropol i vërtetë. Qyteti dhe aeroporti gjigant do të jenë në simbiozë, domethënë të pandashëm.
“Po hapet lidhja e re midis Evropës dhe Azisë, midis Moskës, Lindjes së Afërt dhe Azisë, qyteti nga pikëpamja teknologjike do të jetë shumë i avancuar. Në të automobilat nuk do të përdoren si nëpër qytetet e zakonshme. Propozimi im është që ky të jetë ‘qytet i gjelbër’, i ndarë në zona të këmbësorëve”, deklaroi kohë më parë Rasek.
Deri në aeroport është propozuar të ndërtohet hekurudha e shpejtë me lidhje të drejtpërdrejtë deri te qendra “Taksim” e Stambolit “të Vjetër”.
Qëllimi i projektuesit është që në qytetin e ri të fuqizohen vlerat kulturore turke. Qyteti do të jetë i ndarë në mëhalla, duke u përpjekur që në to të plotësohen nevojat e të gjitha grupeve shoqërore: të rinjve dhe të vjetërve, të pasurve dhe të atyre më pak të pasurve.
Në shekullin e kaluar janë ndërtuar disa qytete të reja. Më të njohurit janë kryeqyteti i Brazilit – Brazilia, si dhe kryeqytetet e dy shteteve federale indiane.
“E ardhmja e Stambollit është e shkëlqyeshme – kjo është porosia ime për investitorët. Vërtet besoj në këtë për arsye të shumta. Njëra është ngritja e ekonomisë turke, e cila është në lidhje dinamike me ekonomitë e Kinës, të Azisë, të Azisë Qendrore, të Rusisë, si edhe të BE-së. Pastaj, aty janë lidhjet historike, gjeografike dhe kulturore të Stambollit me Evropën dhe përfundimisht vendi në të cilin gjendet qyteti, është në gjysmën e rrugës midis Pekinit dhe Londrës, Moskës dhe Kajros. Në punën me pasuritë e paluajtshme gjithmonë themi që shtëpinë e shet ‘lokacioni, lokacioni dhe vetëm lokacioni, ndërkaq Stambolli, përfundimisht, ka lokacionin e tillë’”, thotë Rasekh.
Në qytetin e ri do të jetë edhe Fshati olimpik, i cili më vonë do të transformohet në kampus universitar. Janë planifikuar të ndërtohen edhe qendra shkencore-teknologjike.
Nuk është kjo hera e parë që në këtë shekull të flitet për ndërtimin e Stambollit të Ri. Para shumë vjetësh, ekspertët e Turqisë dhe ata të Universitetit Pergju paraqiten propozimin që të ndërtohet një qytet i ri i rezistueshëm ndaj tërmeteve.
Ekspertët konsiderojnë që gjatë tri decenieve të ardhshme qytetin në Bosfor do ta godasë një tërmet shkatërrues, midis 6,8 dhe 7,5 shkallë të Rihterit.
Kjo do të mund të thoshte që do të ndodhte një katastrofë e vërtetë për metropolin 12-milionësh, ndërtesat e të cilit nuk janë ndërtuar sipas dispozitave sizmologjike, por edhe për tërë ekonominë turke. Qyteti tjetër, satelitor, i ndërtuar që të përballojë çdo tërmet, do të mund t’u ofronte strehim qytetarëve të Stambollit në rast që kundër tij të niseshin fuqitë natyrore.
Prandaj, në këtë projekt të Stambollit të Ri kanë punuar ekspertët e Universitetit të Miçiganit. Ata si lokacion për ndërtim kanë caktuar bregun e Detit të Zi, pikërisht për shkak të rezistencës ndaj tërmeteve, sepse atje toka është më e qëndrueshme dhe kryesisht është e përbërë nga shkëmbinjtë.
Krahas kësaj, ekziston përparësi e madhe – “parcela” në pjesën më të madhe është pronë shtetërore. /© NGJYRA.COM/