Kalaja Zverev, e cila gjendet në bregdetin baltik, në Kronstadt, dikur ishte pjesë e fortifikatave që duhej të mbronin territorin verior të Rusisë. Sot, ndërkaq, kjo kala ofron një pamje unikate – tullat e shkrira, që duken sikur të ishin stalaktitet e ndonjë shpelle të njohur.
Shumëkush këtë pamje e ka përshkruar si “Inferno”, dhe sipas një versioni, ajo është krijuar pas një zjarri të madh që kishte kapluar bodrumin e kësaj fortese, në vitin 1970, kur kishin marrë flakë rezervat e napalmit që ruhej aty.
Madje, sipas këtij versioni, flaka e napalmit, që nuk ishte shuar me javë të tëra, kishte krijuar temperaturën deri në 2000 gradë Celsius, që ishte e mjaftueshme t’i shkrinte tullat.
Një version tjetër ndërkaq, thotë se në bodrum nuk kishte pasur fare napalm, por një lloj yndyre, pastaj municion të vjetër dhe gjësende anijesh, që kishin marrë flakë nga pakujdesia e ndonjë personi.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, Inferno i kalasë Zverev vërtetë ekziston. /NGJYRA.COM/