Dukuri e rrallë por dhe e rrezikshme natyrore – Tornadoja e zjarrit – mu ashtu siç e thotë dhe emri i saj, është një flakë në formë të vorbullës, që lajmërohet nga bashkëdyzimi i erës së fortë dhe nxehtësisë intensive.
Këto vorbulla shumë shpejt mund të shndërrohen në tornadot klasike që brenda vetes thithin zjarrin dhe gazrat djegëse.
Tornadoja e zjarrit, e njohur dhe si Djalli i zjarrit, shumë rrallë shihet nga njerëzit – sepse ajo lajmërohet në vendet e goditura nga katastrofat natyrore, siç janë zjarret.
Pra, siç dhe mund të paramendoni, zjarrëfikësit janë ata që mund të kenë parë më së shumti tornado të tilla – ndërsa shkencëtarët ende merren me studimin e këtij fenomeni natyror.
Tornadoja e zjarrit përbëhet nga bërthama e zjarrtë dhe mbështjellësi i padukshëm, që është ajri rrotullues – i cili e ushqen bëthamën me oksigjen të freskët.
Bërthama e një tornadoje klasike të zjarrit mund të jetë e gjerë 1 deri në 3 metra, ndërsa lartësia e tornados zakonisht sillet prej 50 deri në 100 metra, nganjëherë edhe deri në 300 metra.
Tornadoja e zjarrit më e madhe e regjistruar ndonjëherë, ishte ajo gjatë zjarreve që e kishin goditur Australinë, në vitin 2003, kur lartësia e saj kishte arritur lartësinë prej 500 metrash.
Temperatura në bërthamen e tornados së zjarrit mund të arrijë deri në 1090 gradë Celsius, temperaturë kjo e mjaftueshme që të rindezet hiri të cilin ajo e merr me vete në ajër.
Tornadoja e zjarrit mund të formohet pasi të lajmërohet ndonjë zjarr por dhe vetë mund të jetë shkaktare e zjarreve. /NGJYRA.COM/