Topat e liqenit apo marimo (në gjuhën japoneze “topat e algave”) – po ashtu të njohur edhe me emrat tjerë si, topat Cladophora apo dhe topa myshku – janë një lloj i algave të gjelbra “Aegagropila linnaei”, të cilat kur të rriten marrin formën e topit me diametër prej 12 deri në 30 cm, varësisht prej vendit ku rriten.
Topat e liqenit janë të rrallë dhe mund të gjenden vetëm në Islandë, Skoci dhe Japoni. Më së shumti gjenden në liqenin Akan në Japoni dhe në liqenin Myvatn në Islandë, ndërsa kohë më parë janë parë edhe në Dee Why Beach, në Sidnei të Austalisë.
Në Japoni, topat marimo janë të mbrojtur dhe konsiderohen si pasuri natrore që nga viti 1920. Në liqenin Akan po bëhen përpjekje të mëdha për ruajtjen e këtij thesari natyror, përfshirë këtu dhe festivalin tradicional treditor Marimo.
Në ndërkohë, në liqenin Myvatn (Islandë), topat e liqenit gradualisht kanë filluar të zhduken, ndërsa besohet se në këtë ka ndikuar ndotja nga minierat që kanë filluar punën në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar. Në vitin 2006, Topat Marimo e kanë fituar statusin e llojit të mbrojtur edhe në Islandë, por fatkeqësisht, veçmë ishte vonë. /NGJYRA.COM/