Çfarë kanë të përbashkët Colin Farrell, David Beckham dhe Bono Vox? Përveç se duken bukur dhe përfitojnë shumë, secili nga ta është përfaqësues i tre tipave globalë të meshkujve të cilët sot sundojnë botën.
Bukuroshi i Hollywoodit, Farrell është një maço tipik, kurse, David Beckham, tash e sa vite, mban titullin e ikonës se metroseksualëve, ndërkaq Bono çmohet si uberseksuali i parë i cili, sipas disa parashikimeve, do t’i shkel metroseksualët.
Edhe pse metroseksualëve, pas disa vitesh mbisundimi, u është paraparë një humbje froni, duket se shumë nga ta janë asimiluar mirë në shoqëri dhe e kanë siguruar ekzistencën e tyre edhe për një kohë.
Këta tipa meshkujsh i gëzohen zbulimeve të reja nga fusha e kozmetikës. Ata nuk dalin nga dera e shtëpisë nëse më parë nuk kanë kaluar, së paku gjysmë ore, para pasqyrës.
Gratë kanë nisur të kenë zili pasi që burrat, gjithnjë e më shumë, po i kushtojnë vëmendje kozmetikës dhe zbulimeve të reja të saj, por edhe minutave të kaluara para pasqyrës.
Metroseksualët
Edhe pse metroseksualizmi është një fenomen me të cilin bota është ndeshur para 14 vitesh, rrënjët e fenomenit të tillë të dukjes së meshkujve nisin që nga mesi i shekullit njëzet, kur gratë morën të drejtën për të votuar, morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore, si dhe pas “revolucionit seksual” të viteve të 60-ta.
Lëvizja masovike feministe i ka shqetësuar meshkujt dhe, shumica e tyre, në kërkim të një identiteti të ri, kanë vendosur që ta kthejnë goditjen.
Pasi që gratë bëheshin gjithnjë e më të barabarta me meshkujt duke marrë disa tipare, karakteristike vetëm për ta, kështu edhe meshkujt nisën të çlirohen dhe ta zbulojnë anën e tyre femërore.
Fenomenin e metroseksualëve, i pari e ka vërejtur gazetari britanik, Mark Simpson, në vitin 1994 në artikullin “’Here Come The Mirror Men” të gazetës The Independent.
Konceptin e mashkullit të ri, i cili ka lindur brenda shoqërisë, Simpson ka vazhduar ta përshkruajë në librin mbi identitetin e meshkujve “Male Impersonators: Man Performing Masculinity”.
Mashkulli i deriatëhershëm ishte një tip që punonte për ta mbajtur familjen e tij, të dashurën dhe që nuk kujdesej shumë për veten. Ky tip duhej të ndryshonte.
Por edhe ky ndryshim është i lidhur prapë me gratë. Ato nisën të fitojnë më shumë kështu që për meshkujt erdhi koha kur ata mund të merrnin frymë më lirshëm dhe të kujdeseshin më tepër për veten.
Me kohë, femrat mendojnë se meshkujt e tepruan me këtë përkushtim ndaj vetvetes duke u orientuar tepër kah kozmetika dhe kështu duke nxitur edhe prodhuesit që të ofrojnë laryshi kozmetike, vetëm për burrat.
Lindjen e mashkullit, i cili nuk i frikohet anës së tij femërore, me buzëqeshje të madhe e a përshëndetur bota e modës dhe shtëpitë e kozmetikës të cilat, me të dyja duart ua kanë ofruar strehë meshkujve të cilët kërkuan identitet të ri.
Në të njëjtën kohë kanë nisur të dalin edhe revista të reja si “Man’s Health” dhe FHM të cilët trajtonin të gjitha temat që u interesonin meshkujve të kësaj lëvizjeje.
“Më pëlqen që më lakmojnë dhe adhurojnë edhe femrat edhe meshkujt”, ka thënë në një rast, David Beckham, i cili me krenari e bart titullin e metroseskualit më të madh në botë.
Futbollisti anglez, rregullisht i kultivon, kujdeset dhe i ngjyrosë thonjtë e tij, bartë fustanellë tradicionale, dedikuar për meshkuj dhe femra, bile ka pozuar edhe për revista të gejve.
Por, Beckham nuk është i vetmuar. Nëse shihni përreth do të vëreni se me këta tipa ndesheni çdo ditë. Ata nuk turpërohen të thonë se rregullisht shkojnë në manikyr dhe pediker dhe se dinë shumë për kozmetikën.
Metro rritet në uber
Pasi që në tërësi ka dominuar mendimi gjeneral i femrave se, meshkujt e kanë tepruar në pranimin e anës femërore të personalitetit të tyre dhe me deklarimin e tyre të lirë publik, shumë nga meshkujt kanë gjetur shpëtim në transformimin e atij tipi mashkullor i cili do të mbisundonte tipin e mashkullit të shminkuar.
Këtyre lëvizjeve nuk u kanë ikur as George Clooney e Bill Clinton të cilët, para pesë vitesh, gjendeshin në listën e metroseksualëve më të njohur, kurse sot janë përfaqësues të uberseksualëve, një fenomen i ri i mashkullit ideal, definicionin për të cilin e ka formuluar një shoqatë e grave me më ndikim në Amerikë.
Në këtë tip të ri të mashkullit të preferuar hyn edhe Bono Vox, frontmen i bendit të njohur U2 i cili ka stil, por njëkohësisht është i natyrshëm dhe markant, është në gjendje që me politikanë të flas për politikën, me artistët për kulturën, për emocionet me gratë, si dhe për futbollin me djemtë nga klubi.
Ai mendon globalisht, ka ndjenjë për probleme shoqërore, është i besueshëm, bashkëndjen me të tjerët. Ky do të ishte definicioni i shkurtër për këtë tip mashkulli.
“Uberseksualët janë më tërheqës, më dinamikë dhe meshkujt më interesantë të brezit. Janë më mashkullor, më të besueshëm, kanë stil dhe janë të përcaktuar për më cilësoren në të gjitha aspektet e jetës”, thotë Marian Salzman, drejtoresha e zhvillimit strategjik në një kompani amerikane për publikime dhe autore e librit “Ardhmëria e mashkullit”.
Dallimi mes tipit metro dhe atij uber është aty se, uberseksluali më shumë kohë i përkushton mendjes sesa frizurës, dallon të mirën dhe të keqen, kurse tipi metro di vetëm dallimin mes pudrës se lëngët dhe peelingut për fytyrë dhe trup dhe se nuk do vesh diçka që nuk është në trend.
Që të dy tipat sillen njësoj me femrat, por tipi uber, miqtë e tij më të mirë i gjen mes meshkujve e jo grave. Që të dy tipat janë të ndjeshëm, por tipi uber është më i ndjeshëm kur bëhet fjalë për çështje të jetës, kurse tipi metro emocionohet më se shpeshti vetëm kur bëhet fjalë për veten e tij. /NGJYRA.COM/