Pak kohë më parë kemi shkruar për një ishull të veçantë në Japoni, i cili është i populluar nga një numër i pafund i lepujve ( Ishulli i lepujve, atraksion turistik në Japoni). Por, çudia japoneze nuk përfundon këtu. Në këtë vend ekziston një ishull tjetër interesant – që është i populluar nga një numër i vogël i njerëzve por nga një numër i madh i maceve – që njihet ndryshe si “Ishulli i maceve”.
Në ishullin Tashirojima (Tashiro jima = ishulli i maceve) në Japoni, macet janë sundimtare. Që nga kohërat e lashta banorët e këtij ishulli kanë besuar se macet sjellin fat, ndërsa vetë shtimi i numrit të turistëve (në të shumtën e rasteve të atyre që i pëlqejnë macet), tregon se banorët e kishin të drejtë.
Në ishullin Tashirojima jetojnë më shumë mace sesa njerëz. Më saktësisht, këtu jetojnë diç më pak se 100 njerëz dhe disa qindra mace.
Megjithatë, këtu nuk ka pronarë macesh – ngase tradita thotë se mbajtja e manarëve është gjë e papërshtatshme, mirëpo përkundër këtij fakti, këtu macet jetojnë si të ishin mbretëresha. Banorët i ushqejnë dhe kujdesen për to.
Sipas Asociacionit Turistik të Japonisë, macet ishin sjellë në këtë ishull për t’i zhdukur minjtë dhe dëmtuesit tjerë të fermave, ndërsa krahas qindra maceve në këtë ishull gjenden edhe disa objekte që kanë formën e këtyre shtazëve simpatike dhe kokëforta.
Për t’i mbrojtur macet e ishullit, banorët potencojnë se në këtë ishull ndalohet sjellja e qenve nga turistët. /NGJYRA.COM/