Ndërtesa e dizajnuar nga Ryue Nishizawa është ndërtuar në një hapësirë të ngushtë, në qendër të Tokios, ndërsa katet e saj janë të hapura dhe pa mure ndarëse.
Shkallët spirale përshkojnë secilin kat dhe duken sikur mbështesin bimët e harlisura që dominojnë fasadën e kësaj ndërtese – deri në kulm.
E ndërtuar në një lokacion biznesi në kryeqytetin japonez, kjo ndërtesë është shtëpi dhe zyre pune e dy shkrimtarëve.
Gjerësia e vendit ishte vetëm katër metra, kështu që Nishizawa e dizajnoi atë që të ketë vetëm mure prej xhami.
Qëllimi i tij, siç ka thënë arkitekti, ishte që të dizajnonte një ndërtesë, e cila nuk do të kishte mure.
Kopshtet janë të lidhura ngusht me dhomat e secilit kat, ku drunjtë maskojnë fasadën, respektivisht ambientin e banimit nga kalimtarët. Ndërkaq, muret prej xhami, mbrojnë ambientin e brendshëm nga elementet e jashtme.
Edhe pse pa një fasadë të vërtetë, kjo shtëpi “i fshehë” të gjithat hapësirat e nevojshme brenda saj.
Prej përdheses ku ndodhen qëndrimi ditor dhe kuzhina, për të vazhduar më pastaj me dhomën e parë të gjumit në katin e sipërm; banjën, dhomën tjetër të gjumit; dhe në fund tarraca në pullaz, ku ndodhet një dhomë e vogël mysafirësh, apo edhe hapësirë për deponim. /NGJYRA.COM/