Shpellat Maijishan është emërtimi i kompleksit prej 194 shpellave të gdhendura në shkëmbin Majishan në Tianshui, të provincës Gansu në Kinën veriperëndimore. Ky projekt i mahnitshëm arkitekturor përmban mbi 7.200 skulptura budiste dhe më shumë se 1000 metra katror të zbukuruara me një shumëllojshmëri të dekorit mural.
Besohet se historia e kompleksit daton rreth vitit 400, kur Budizmi kishte nisur të përhapet nga India në Kinë. Gjatë kësaj periudhe kishte filluar tradita e ndërtimit të faltoreve në shpella, e cila përmes Rrugës së Mendafshit shumë shpejt kishte arritur edhe deri në qendër të Kinës.
Diku ndërmjet viteve 420 dhe 422, një murg i quajtur Tanhung kishte arritur në malin Maijishan me mision për të vazhduar formimin e një komuniteti të vogël monastik.
Brenda pak vitesh, ndërtimit i ishte bashkuar edhe murgu më i vjetër, Xuangao, i cili me vete kishte sjellur edhe 100 pasues. Me kalimin e kohës, ky numër ishte rritur në 300 pjesëtarë të komunitetit.
Ende nuk dihet sigurt se si është ndërtuar ky kompleks dhe si ka qenë i organizuar komuniteti i parë. Pothuajse të gjitha statujat janë të punuara nga argjila të cilës i është shtuar një material që është përdorur për lidhjen e masës në një tërësi, ndërsa vetëm disa prej tyre janë të punuara prej guri.
Ende mbetet mister se ku janë punuar, si janë punuar dhe si janë vendosur në shkëmb këto statuja mahnitëse. /NGJYRA.COM/