Samarkandi është qyteti i dytë më i madh në Uzbekistan, që shtrihet në luginën e lumit Zarafshan. Historia e këtij qyteti është po aq interesante sa edhe pamja e tij. Nëpër këtë qytet, që është i vjetër sa edhe Babilonia apo Roma, kanë kaluar shumë pushtues duke filluar nga Aleksandri i Madh, pushtuesit Arab, Xhingis Kani e deri tek Tamerlani (Timuri).
Rreth vitit 1500, në këtë qytet ishin vendosur Uzbekët të cilët e mbajtën atë deri në shekullin e 18-të, kur ai u bë plotësisht i pabanuar (nga 1720-at deri 1770-at). Qyteti u rimëkëmbë ekonomikisht vetëm pasi u bë qytet provincial i Perandorisë Ruse (1887) dhe qendër hekurudhore. Për një periudhë të shkurtër (1924-1936), ai madje ishte edhe pjesë e Republikës Socialiste Sovjetike.
Në ditët e sotme Samarkand përbëhet nga qyteti i vjetër, që daton nga mesjeta dhe pjesa e re e ndërtuar pas pushtimit të kësaj zone nga rusët, në shekullin e 19-të.
Gjithmonë qytetet më të bukura kanë qenë ato në të cilat janë përzier kulturat. Mjafton të shihet Aleksandria, një përzierje e qytetërimit evropian dhe afrikan, e cila dikur kishte bibliotekën më të madhe në botë, si dhe shumë mrekulli të tjera të lashta të botës.
Ashtu si Aleksandria edhe Samarkandi është zhvilluar nga përzierja e kulturave: perse, induse, mongole dhe e disa kulturave perëndimore e lindore. Për qytetin magjik e të bukur, Samarkand thuhet se ka fuqi magjepsëse për të tërhequr vizitorët.
Poetët dhe historianët e së kaluarës e kanë quajtur atë me emra të ndryshme të tillë si: “Roma e Lindjes”, “Bukuria e vendeve të kësaj bote”, “Perla e botës myslimane lindore”.
Gjatë historisë ky qytet legjendar që gjendet në “Rrugën e Mëndafshit” ka kaluar nëpër shumë batica e zbatica, meqë shpesh është ringjallur pas shkatërrimit nga pushtuesit. Çdo herë që ishte ngritur nga hiri, ai ishte bërë edhe më i bukur se më parë.
Për shkak se rrugët tregtare kryesore nga Perëndimi për në Persi në lindje dhe në Kinë, në jug, e deri në Indi, kalonin nëpër këtë qytet, ai u bë i njohur edhe si qyteti në Rrugën e Mëndafshit.
Në ditët e sotme, Samarkandi është një thesar unikat i lashtësisë. Ai është në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për shkak të numrit të madh të vlerave materiale dhe shpirtërore.
Samarkandi është përplot me monumente unikate të arkitekturës së lashtë dhe të shkollave të shkencës e artit që janë të njohura në mbarë botën. /NGJYRA.COM/