Rruga Yungas, e njohur edhe si “Rruga e vdekjes”, është në listën e rrugëve më të rrezikshme në botë, ndonëse këtë epitet nuk e ka marrë ende zyrtarisht.
Kjo rrugë që lidh qytetin La Paz (qyteti me lartësinë më të madhe në botë – 3.660 metra) të Bolivisë me rajonin Yungas në pyjet tropikale të Amazonës, kalon nëpër vargmalet Cordillera Oriental, ku arrin edhe pikën më të lartë prej 4.650 metrash, prej të cilës përnjeherë ulet në lartësi prej 1.200 metrash.
Kjo ulje prej më shumë se 3.650 metrash është një prej uljeve më të gjata të vazhdueshme në botë.
Rruga Yungas është ndërtuar nga të burgosurit paraguajan në vitin 1930 gjatë Luftës së Chacos. Një pjesë e madhe e kësaj rruge 3.5 metra të gjerë nuk është e asfaltuar dhe për shkak të përzierjes së erërave të ngrohta dhe të lagështa që vijnë nga pyjet tropikale të Amazonës, ajo shpesh bëhet me baltë dhe pothuajse e pakalueshme.
Në njërën anë të rrugës është shkëmbi i fortë, ndërsa në anën tjetër hendeku, i cili në disa vende është i thellë edhe deri në 600 metra. Për t’i përkeqësuar gjërat edhe më shumë, pothuajse në asnjë pjesë të kësaj rruge nuk ka të instaluara rrethoja apo gardhe mbrojtëse.
Për ngasësit e makinave në këtë rrugë vlejnë rregulla të veçanta. Derisa në pjesën tjetër të Bolivisë vozitet në anën e djathtë të rrugës, në këtë rrugë vozitet në anën e majtë, meqë nga kjo anë rruga shihet më mirë.
Përveç kësaj, automjetet që lëshohen tatëpjetë në asnjë rast nuk kanë përparësi ndaj atyre që lëvizin përpjetë dhe janë të obliguara që të ndalen buzë rrugës për t’ua lëshuar rrugën automjeteve që lëvizin përpjetë.
Sipas disa vlerësimeve, në këtë rrugë çdo vit humbin jetën 200-300 njerëz. Në mësin e viktimave të aksidenteve në të, shpesh ka edhe çiklistë të cilët vijnë nga e gjithë bota në këtë vend për ta sfiduar veten. /NGJYRA.COM/