Ndërsa mijëra migrantë nga Lindja e Mesme vazhdojnë rrugëtimin e tyre përmes Ballkanit perëndimor drejt vendeve të Evropës veriore, Kancelarja gjermane Angela Merkel, bëri thirrje përsëri për një zgjidhje të përbashkët të BE-së për këtë krizë që nuk po shënon shenja uljeje. Merkel tha se kriza e refugjatëve rrezikon të shkaktojë destabilizime në Ballkan. Kriza me migrantë që ka përfshirë Evropën, edhe sipas kryeministrit të Sllovenisë, Miro Cerar, kërcënon të ringjallë konfliktet midis ish-republikave jugosllave, që kanë luftuar me njëra-tjetrën gjatë viteve ’90.