Në skaj të fshatit Dargavs në Rusi gjenden varrezat e lashta ose nekropoli i njohur si “qyteti i të vdekurve” (ndonëse emri nuk është i vaçantë për Dargavs, sepse fjala “nekropol” fjalë për fjalë do të thotë “qytet i të vdekurve”).
Dargavs është mbresëlënës jo vetëm për shkak të numrit të madh të mauzoleve të pazakontë, por edhe për shkak të peisazhit jashtëzakonisht mahnitës.
Në këto varreza ka mëse 100 varre të lashta prej guri, në të cilat janë varrosur njerëzit që jetonin në këtë luginë. Së bashku me njerëzit në këto varreza janë “varrosur” edhe gjësendet e tyre personale dhe rrobat.
Megjithëse disa prej tyre janë katërkatëshe, shumica e varreve janë njëkatëshe. Të gjithat kanë të njëjtin stil të arkitekturës, të njohur si “Nakh”.
Qyteti i të vdekurve është përmendur së pari në shekullin e 14-të dhe në bazë të atyre të dhënave, paraardhësit e banorëve të sotëm të kësaj zone e kishin zgjedhur për varreza këtë kodër të rrahur shumë nga era, për shkak se vendet që ndodheshin më afër lagjeve të tyre kushtonin shumë shtrenjtë.
Për këtë vend ekzistojnë shumë mite dhe legjenda. Në të kaluarën, fshatarët vendas i janë shmangur këtyre varrezave sepse besonin se askush nuk mund të kthehet i gjallë prej tyre.
Sipas një legjende, në shekullin 17, kur këtë rajon e kishte “vizituar” murtaja, për t’u izoluar nga fshati dhe njerëzit e shëndoshë, të sëmurët në mënyrë vullnetare ishin vendosur brenda mureve të kasollave dhe me durim kishin pritur fatin e tyre.
Kur ata kishin vdekur, trupat e tyre ishin lënë brenda kasolleve, të cilat në ditët e sotme e përbëjnë këtë qytet të jashtëzakonshëm të të vdekurve.
Megjithë legjendat dhe udhëtimin jo të lehtë vajtje-ardhje deri në të, qyteti i të vdekurve çdo vit vizitohet nga një numër i madh i turistëve vendorë dhe ndërkombëtar. /NGJYRA.COM/