Përderisa në Bali konsiderohen si kafshë që mund t’i dëmtojnë të mbjellat e çmuara të fermerëve, në Pyllin e Shenjtë të Majmunëve, të njohur edhe si Pylli i Majmunëve Ubud (Mandala Wisata Wenara Wana), majmunët bishtgjatë makaki respektohen dhe janë nën përkujdesje të vazhdueshme.
Banorët lokalë besojnë se këta majmunë janë pjesë e jetës shpirtërore të tempujve në këtë pyll, gjegjësisht manifestim i perëndive hindu.
Pylli i Majmunëve zë një sipërfaqe prej 27 hektarësh të tokës pyjore në të cilën gërshetohen shtigjet gjarpëruese dhe skulpturat e shenjta. Në të ka edhe tre tempuj të rëndësishëm, të cilët besohet se ruhen nga majmunët.
Më shumë se 80 lloje të ndryshme të drunjëve në këtë në pyll janë strehë për rreth 500 majmunë, një numër të madh të zogjve, hardhucëve, ketrave dhe drerëve.
Besohet se strukturat më të vjetra të tempujve datojnë nga shekulli i 13-të, por deri më tani ato janë restauruar aq shumë herë saqë është e vështirë të mund të përcaktohet ndonjë datë e saktë.
Vendi më i shenjtë në Pyllin e Shenjtë të Majmunëve është Lingga Yoni, apo imazhi hindu i organit seksual të mashkullit dhe mitrës, i cili për qindra vjet me rradhë ka zënë vendin kryesor në faltoret e shenjta brenda tempujve.
Në disa vitet e fundit, shkencëtarë nga e gjithë bota e vizitojnë këtë pyll për t’i vëzhguar nga afër majmunët në mjedisin e tyre natyror. Përveç shkencëtarëve këtë pyll e vizitojnë rregullisht edhe shumë turistë nga e gjithë bota.
Banorët lokalë që u shesin turistëve banane dhe ëmbëlsira të ndryshme për t’i ushqyer majmunët, gjithmonë i paralajmërojnë ata se këta majmunë janë të egër dhe se është më mirë që këtë punë t’ua lënë ekspertëve, të cilët janë të angazhuar enkas për t’u kujdesur për majmunët.
Sipas politikës zyrtare të pyllit – të gjithëve u lejohet t’i ushqejnë majmunët, mirëpo në qoftë se sulmohen prej tyre, atëherë vet duhet t’i bartin pasojat. /NGJYRA.COM/