Rreth 60 km në jug të Berlinit, në Gjermani, gjendet një ish-aeroport sovjetik – brenda të cilit u ndërtua një hangar aeroplanësh, i njohur me emrin Aerium. Dhe, këtu përfundon historia e dikurshme ushtarake e këtij vendi, për t’i lënë vend një historie të re – hapjes të njërit prej parqeve më të mëdha të ujit dhe argëtimit në botë, të quajtur “Tropical Islands Resort”.
Me hapësirë prej mbi 66,000 m², ky park i mbyllur ujor, i hapur në vitin 2004, është ndërtuar brenda hangarit të aeroplanëve të ushtrisë gjermane – të cilit iu ndërrua destinimi më vonë – e që konsiderohet si një prej objekteve më volumin më të madh në botë (i gjatë 360 m, i gjerë 210 m dhe i lartë 107 m).
Sot ndërkaq, “Tropical Islands Resort” konsiderohet si një prej atraksioneve më të mëdha argëtuese në zemër të Evropës. Ai ka kapacitet prej 6.000 vizitorësh, ndërsa brenda tij gjenden; pishina gjigante, pylli topikal me 50.000 bimë, hoteli, klubi i natës, dhe shumë gjëra tjera që sigurojnë argëtim “të çmendur”.
Në “Tropical Islands Resort” temperatura konstante është 26 gradë celsius, ndërsa ai është i hapur 24 orë në ditë – 7 ditë të javës. Brenda tij ndërkaq, mund të bëni një xhiro me balon me ajër të nxehtë pa dalë fare jashtë hapësirës së parkut.
Deti, respektivisht pishina e këtij kompleksi të mahnitshëm të argëtimit, përfshin një sipërfaqe prej 3.000 metrash katrorë, që është tri herë më e madhe se një pishinë olimpike. Teperatura konstante e ujit është 28 gradë celsius, ndërsa pushuesit mund të akomodohen në plazhin e gjatë 200 metra.
Brenda këtij parku ekziston dhe laguna, ku temperatura është 32 gradë celsius, pastaj rrëshqitëset e mahnitshme – të larta deri në 27 metra, vorbullat argëtuese, spa-tretmanet e çka jo tjetër.
Tropical Islands Resort ofron akomodim/flejtje për qindra persona, qoftë brenda shtëpizave të banimit, qoftë dhe në tenda. Thënë ndryshme, ky park i ujit ofron të gjitha ato që mund të ofrojnë dhe plazhet tropikale në vendet më ekzotike të botës, madje, në të gjitha stinet e vitit. /NGJYRA.COM/