Një artist nga Malajzia e ka kuptuar fare mirë që edhe shkarravitja mund të shndërrohet në art – madje, të të sjellë dhe famë botërore. Megjithatë, duhet pranuar se shkarravitja, respektivisht skicimi, i artistit me nofkën Vince Low, nuk janë vija të çrregullta e të pakuptimta, por vepra të mahnitshme.
E tëra kishte filluar kur Low ishte angazhuar në një fushatë promovuese të Shoqatës Malajziane të Dyslexias, në Kuala Lumpur.
Fillimisht ai kishte realizuar portretet e tre personave të famshëm që ishin të prekur nga sëmundja e dyslexias (personat që e kuptojnë botën përmes figurave dhe jo shkrim-leximit): piktori Pablo Picasso, muzikanti John Lennon dhe shkencëtari Albert Einstein.
Ideja ishte që të tregohej se personat e prekur nga dyslexia nuk e humbasin talentin e lindur.
Kështu, me kalimin e kohës, Low e zhvilloi edhe më shumë teknikën e veçantë të shkarravitjes karakteristike, duke krijuar vepra edhe më komplekse arti.
Sot, ndërkaq, teknika e tij e pikturimit ka fituar famën botërore, ndërsa veprat e tij priten me dashamirësi nga adhuruesit e artit pamor. /NGJYRA.COM/