Pika më jugore e ishullit jugor të Zelandës së re, Slope Point, është e njohur për peizazhet tepër të bukura natyrore dhe për numrin e madh të deleve, por gjithashtu edhe për pemët e shtrembëruara të cilat nga viti në vit i formësojnë erërat e fuqishme.
Derisa janë rritur, pemët vazhdimisht kanë qenë nën ndikimin e erërave, të cilat nëpërmjet oqeanit pa kurrfarë pengesash kanë arritur nga Poli Jugor, ndërkaq degët e tyre janë lakuar në drejtim të veriut, në mënyrë që t’u bëjnë sa më pak rezistencë.
Megjithatë, njerëzit nuk kanë mundur të rezistojnë, andaj kanë hequr dorë nga ideja që ta popullojnë këtë vend.
Slope Point është larg rreth 4.800 km nga Poli Jugor dhe 5.100 km nga ekuatori, kështu që rregullisht u ekspozohet kushteve ekstreme të motit. Mirëpo, edhe në këto kushte tejet të vështira, natyra ka krijuar peizazhe të mrekullueshme.
Vetë pemët kurrë nuk do të mund të përballonin fazën e hershme të jetës po të mos kujdeseshin për to fermerët vendas të cilët në Slope Point rregullisht i kullosin delet e tyre.
Por edhe delet edhe fermerët nuk do të kishin rezistuar kurrë po të mos ishin pemët të cilat ofrojnë së paku një mbrojtje të shkurtër nga erërat e forta.
Adhuruesve të natyrës vizita Slope Pointit u lejohet gjatë tërë vitit, përpos gjatë sezonit të lindjes së qengjave (shtator-nëntor).
Duke pasur parasysh që asnjë rrugë nuk çon deri te ky lokacion, duhet të ecet në këmbë afro njëzet minuta, ndërkaq pushteti vendor rekomandon që turistët të kthehen në vend të sigurt para se të bjerë terri, në mënyrë që t’i shmangen kushteve ekstreme të motit ndaj të cilave delet dhe drunjtë e shtrembëruar kaherë janë mësuar. /NGJYRA.COM/