Qyteti-fortesë Palmanova ndodhet në verilindje të Italisë, në afërsi të kufirit me Slloveninë, 50 km larg Triestës. Derisa qyteti ka një histori mijëra vjeçare, Palmanova moderne është ndërtuar në shekullin 16-të dhe 17-të.
Sot, ky qytet njihet për formën e tij të yllit, që dikur ishte dizajni më modern për ndërtimin e kalave, pasi që cepat e yllit (9 sish në total) mund të mbronin njëri-tjetrin nga sulmet.
Brendia e fortesës është ndërtuar në formë të rrethit, ndërsa rreth saj ndodhet një kanal me ujë, që duhej të shërbente si mbrotje edhe më e mire për banorët.
Palmanova ishte ideuar si një lloj utopie ku do të vendoseshin tregtarët e pasur, esnafët, dhe bujqit. Me mbrojtjen që ofronte forma e yllit, ky qytet-fortesë duhej të joshte shtresën më të pasur të shoqërisë.
Po ashtu, ishte planifikuar që secili banor të kishte sipërfaqe të njëjtë të tokës, por dhe përgjegjësinë e njëjtë, si dhe një rol të caktuar në qytet.
Megjithatë, përkundër kushteve të mira, në qytet nuk kishte ardhur askush. Në dëshpërim e sipër, qeveria kishte amnistuar një numër të burgosurish dhe, në vitin 1622, ua kishte dhuruar pasurinë e paluajtshme në Palmanova.
Edhe pse teknikisht është një fortesë, Palmanova kurrë nuk ishte ballafaquar me beteja të ashpra, përkundër faktit se ishte konceptuar dhe ndërtuar si një “kështjellë e pamposhtur”.
Qyteti-fortesë ishte pushtuar dy herë pa problem dhe pa rezistencë: njëherë nga Napoleoni, e më pastaj edhe nga mbretëria e italianëve.
Në vitin 1960 ndërkaq, Palmanova është shpallur Park kombëtar. /NGJYRA.COM/