Mënyra se si ne punojmë është duke ndryshuar në masë të madhe, meqë zhvillimi teknologjik, në radhë të parë, është duke e rritur gjithnjë e më shumë lëvizshmërinë dhe bashkëpunimin mes njerëzve.
Ne ditët e sotme ne kemi mundësinë që t’i kryejmë punët tona pothuajse nga çdo vend dhe në çdo kohë, por duket se krijimi i hapësirës së përshtatshme të punës ngadal është duke e përcjellë këtë trend të ndryshimeve.
Në kuadër të këtij trendi, Callaway Fraser, Oliver Ward dhe Mat Innes kanë realizuar një projekt të quajtur “Ripalosja”. Ata kanë dizajnuar një tavolinë prej kartoni, e cila e rritë fleksibilitetin dhe e ndihmon bashkëpunimin.
Kjo tavolinë e lehtëson rrjedhën e punës, meqë ua mundëson ekipeve që brenda pak minutash, kurdo dhe kudo, të krijojnë një mjedis unik pune – të përshtatshëm për nevojat e tyre ku mund të përqëndrohen në detyrat që duhet t’i kryejnë.
Këto tavolina lehtë mund të adaptohen për përdorim në shumë mjedise, si në shkolla, studio krijuese, dyqane të përkohshme, zyra mobile ose gjatë ofrimit të ndihmave në raste fatkeqësish./NGJYRA.COM/