Rrëfimi i këtij shkrimi fillon në vitin 2000, në ishullin japonez Miyakejima, ku fjala katastrofë është përditshmëri. Miyakejima është pjesë e ishujve vullkanik Izu, të cilët gjenden në Detin e Djallit, e që përherë janë të rrezikuar nga tërmetet dhe erupsionet vullkanike.
Vetëm gjatë shekullit të kaluar, këtu kishin ndodhur gjashtë erupsione, ndërsa më i keqi në periudhën 26 qershor – 21 korrik të vitit 2000, kur kjo zonë ishte goditur nga 17.500 tërmete!
Më 14 korrik, dy herë radhazi kishte shpërthyer vullkani Oyama. Erupsioni kishte nxjerrë tym në lartësi prej 1 kilometër, ndërsa ishte shoqëruar me shpërthime të fuqishme.
Në atë moment kishte filluar dhe evakuimi i popullatës së ishullit.
Sidoqoftë, hiri që binte nga qielli nuk ishte problemi i vetëm me të cilin u ballafaquan banorët. Kjo katastrofë kishte mbushur ajrin me dyoksid squfuri në përmasa të rrezikshme, duke bërë që 20% e tokës të bëhet e papunueshme.
Pas tre muajsh qeveria kishte organizuar evakuimin e detyrueshëm masiv.
Edhe dy vjet pas erupsionit, vullkani Oyama vazhdoi të villte 10.000 deri në 20.000 tonë dyoksid sulfuri në ditë, duke e shndërruar këtë ishull në një botë post-apokaliptike, me drunj të vdekur, makinat e ndryshkura dhe ndërtesat e braktisura.
Në vitin 2005, banorët ishin lejuar të vinin në shtëpitë e tyre. Megjithatë, shumica prej tyre kishin vendosur të qëndroniin në shtëpitë e reja në Tokio, mirëpo 2.800 sish ishin kthyer, të pajisur me gaz-maska – që të mund të mbijetonin mes gazrave helmuese që vazhdonin të dilnin nga toka.
Kështu, shumë shpejt kishte lindur një lloj i ri i turizmit – qëndrimi në ishullin ku të gjithë bartin gaz-maska. Tash, gaz-maskat për një përdorim shiten në të gjitha portet që çojnë drejt këtij vendi turistik, i cili vizitohet vetëm nga turistët guximtarë. /NGJYRA.COM/