Ushtrimet 10 minutëshe në shtëpi, apo në natyrë, mund të jenë të dobishme po aq sa dhe orët të tëra të kaluara në palestër. Shkencëtarët kanë zbuluar se shëtitja ose dhe pastrimi i shtëpisë mund t’ju ndihmojnë mjaft në heqjen e kilogramëve të tepërt dhe në zvogëlimin e kolesterolit.
Aktivitetet fizike si kositja e barit ose peshkimi, po ashtu mund të zvogëlojnë dukshëm rrezikun nga sulmi në zemër.
Studimi të cilin e ka kryer Universiteti i Bostonit ju rekomandon që brenda ditës të ushtroni 10 minuta, në mënyrë që të vëreni dallimin në trupin tuaj. “Pak ushtrim është më mirë se aspak aktivitet”, thonë hulumtuesit e këtij universiteti.
Në këtë eksperiment kanë marrë pjesë mijëra meshkuj e femra, të mesomoshës. Më shumë se gjysma e tyre kishte probleme me mbipeshë. Atyre u ishte vendosur një akcelerometër i cili e përcillte aktivitetin e tyre ditor si dhe u janë përgjigjur pyetjeve se çfarë bëjnë gjatë ditës.
Rezultatet kanë treguar se ata që kishin bërë ushtrime kanë humbur disa kilogramë dhe kanë pasur nivel më të vogël të kolesterolit.
Ushtrimet kanë ndikim shumë të madh në zvogëlimin e rrezikut nga sëmundjet kardio-vaskulare. Është vërtetuar se pastrimi i garazheve, matarimi i shtëpisë, aktivitetet si; loja e golfit, kalërimi etj., ndihmojnë shumë trupin tonë.
Po ashtu, shkencëtarët kanë konstatuar se njerëzit e rritur duhet të ushtrojnë së paku 2 orë e 30 minuta në javë. Këto ushtrime mund të jenë ecja e shpejtë ose edhe 75 minuta të notit intensiv.
Ata që nuk kanë kohë për gjëra të tilla, mund t’i përkushtohen punëve shtëpiake – ku sigurisht, krahas dobisë për shëndetin do të marrin lëvdata dhe nga partneri apo partnerja e tyre. /NGJYRA.COM/