Gjiri i San Franciskos është i njohur për bukuritë e tij të shumta natyrore, por asnjëra prej tyre nuk mund të matet me kriporen shumëngjyrëshe, bukuria e vërtetë e së cilës mund të shihet vetëm nga aeroplani (ose ndonjë fluturake tjetër).
Kriporja është një fabrikë e projektuar për përfitimin industrial të kripës së detit, proces ky për të cilin kërkohet një varg liqenesh (pellgjesh) për avullim, nëpër të cilët rrjedh uji nga njëri në tjetrin, derisa liqeni i fundit i vargut të ngopet plotësisht me shëllirë.
I gjithë procesi i avullimit fillon në pranverë, ndërsa kripa nga liqeni i fundit nxirret në vjeshtë, me procesin e quajtur “vjelja e kripës”.
Mikroorganizmat që jetojnë në liqenet e kripës janë përgjegjës për ngjyrën e tyre, e cila mund të variojë nga e kaltra e deri tek e kuqja.
Shembuj të këtillë të ngjashëm mund të hasen edhe në natyrë, kur liqenet jashtëzakonisht të kripura marrin ngjyrë të kuqe ose rozë.
Ngjyra tregon kripësinë e liqenit dhe llojet e mikroorganizmave që shtohen në të, prej të cilëve më të shpeshtët janë Synechococcus, Halobacteria dhe Dunaliella, e që më së shumti ndikojnë në ngjyrë.
Algat dhe mikroorganizmat e tjerë që jetojnë në liqenet shumëngjyrëshe në gjirin e San Franciskos krijojnë bazën për një ekosistem të pasur që mbështetë më shumë se një milion shpezë dhe kafshë të tjera të egra.
Në të njëjtën kohë, mikroorganizmat e përmirësojnë cilësinë e ujit, e me këtë edhe cilësinë e kripës. /NGJYRA.COM/