Me një koleksion të pasur prej 22.000 llojesh dhe varietetesh të bimëve, 10 serrave të mëdha prej xhami dhe më shumë se 20 kopshteve tematike, ku të gjitha së bashku zënë një sipërfaqe prej më shumë se 75 hektarësh, Kopshti Botanik i Montrealit është i njohur si një nga kopshtet botanike më të mëdha dhe më të rëndësishme në botë.
Ideja për këtë kopsht të mrekullueshëm lindi në mesin e shekullit të 19-të dhe me gjithë problemet e shumta (si Depresioni i Madh, Lufta e Dytë Botërore etj.) disa njerëz të vendosur vazhduan të punojnë për zhvillimin e këtij kopshti, i cili tek në vitet 1970-ta filloi të shihej si një projekt serioz në Kanadë, ndërsa vëmendjen e botës e kishte tërhequr pas rreth një dekade.
Në këtë kopsht ka kultura të ndryshme bimore, duke përfshirë edhe ato nga Kina dhe Japonia. Kopshti ofron edhe një program të veçantë për të rinjtë, gjatë të cilit ata njihen me të mirat dhe mrekullitë e natyrës.
Përveç që i shërben gjithë qytetit, me inkurajimin e mbjelljes së rregullt të pemëve, ruajtjen e natyrës dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, ky kopsht i shërben për të mirë botës mbarë. /NGJYRA.COM/