Festivalet janë një aspekt i rëndësishëm i kulturës japoneze, që është ndër më të pasurat në botë. Këto festivale jo vetëm që pasqyrojnë kulturën briliante të këtij vendi, por edhe sfondin e tij të pasur historik. Hadaka Matsuri është një prej tre festivaleve më ekscentrike që mbahet në Japoni.
Hadaka Matsuri, apo “Festivali i burrave lakuriq”, është një festival në të cilin burra të veshur vetëm në të brendshme, në një konkurencë të ashpër garojnë për të marrë një shkop të shenjtë që sjell fat, të quajtur “Shingi”. Ai që ka fatin ta marr një Shingi dhe ia del që ta vendosë atë në pozitë vertikale në një kuti druri të mbushur me oriz, quhet MASU dhe është i bekuar me një vit të lumtur.
Festivali Hadaka Matsuri në ditët e sotme mbahet në qytete të ndryshme të Japonisë, por më i madhi prej tyre, në të cilin marrin pjesë më shumë se 10.000 burra nga e gjithë Japonia, është ai në Okayama, qytet ky që është edhe vendi i origjinës së këtij festivali.
Ashtu si shumë festivale tjera japoneze edhe Hadaka Matsuri ka rrënjët në kulturën e lashtë të Japonisë. Në fakt ky festival ka filluar rreth 500 vjet më parë, kur fermerët garonin për të marrë nga priftërinjtë hajmali të fatit. Në atë kohë ipeshin hajmali prej letre, të njohura si Shko-o, që ishin simbole që tregonin përfundimin e trajnimit Asketik të Vitit të Ri. Ndërsa tani hajmalitë janë shkopinj druri që konsiderohen të jenë “shkopinj të Perëndisë”.
Këto hajmali është besuar se sjellin fat të mirë dhe i mbrojnë poseduesit e tyre nga të gjitha llojet e aksidenteve dhe lëndimeve, madje edhe nga vdekja. Meqë numri i njerëzve që kërkonin hajmali dhe rëndësia e këtyre të fundit ishte rritur vazhdimisht, me kalimin e kohës edhe Hadaka Matsuri ka marrë përmasat e festivalit të ditëve të sotme.
Ky festival mbahet çdo vit në sezonin e ftohtë. Turma e burrave lakuriq, duke thirrur “Wasshoi! Wasshoi”, presin jashtë tempullit. Pikërisht në mesnatë, shkopinjtë hidhen në turmën e burrave të cilët nxitojnë për të rrëmbyer njërin prej tyre.
Derisa burrat luftojnë për të marrë hajmalinë e fatit ata spërkaten me shumë ujë të ftohtë. Ai që ia del ta kap njërin shkop, duhet ta ruaj atë me kujdes meqë ai shumë shpejt mund t’i rrëmbehet nga të tjerët, ngjashëm si në lojën e ragbit, vetëm se në këtë versionin japonez lojtarët janë pa rroba. /NGJYRA.COM/