Ndonëse duket sikur të ishte nga një tjetër planet, ky Geizer i pazakontë shumëngjyrësh gjendet në Nevada të SHBA-ve. Emrin Fly Geyser e ka marrë sipas pronës private Fly Ranch, ku ndodhet ky geizer i krijuar rastësisht nga dora e njeriut.
Në vitin 1964, një kompani e cila eksploronte energjinë gjeotermale duke kryer disa shpime testuese kishte hasur në ujë nëntokësor.
Meqë uji që kishin gjetur nuk ishte mjaft i mirë për ujitje dhe jo mjaft i ngrohtë për nevojat e tyre, kompania kishte hequr dorë nga shfrytëzimi i tij. Me kalimin e kohës në vendin e shpimit ishte formuar një kon i karbonat kalciumit i lartë rreth 4 metra.
Geizeri eshte rritur dukshëm në 40 vitet e fundit për shkak të mineraleve nga ujërat gjeotermale që depozitohen në sipërfaqe.
Megjithëse ka shumë geizerë në këtë pronë, ky është më i madhi dhe sigurisht më i pazakonti e më i bukuri.
Geizeri është i mbuluar me alga, të cilat lulëzojnë në lagështi, në kushtet e motit të nxehtë, gjë që ka rezultuar me krijimin e nuancave të ndryshme të ngjyrës se gjelbër dhe asaj të kuqe, të cilat edhe i japin atij një pamje të veçantë.
Në liqenin e vogël përreth geizerit është formuar edhe një mini-ekosistem. Peshqit e vegjël (që i ka sjellë këtu një njeri i panjohur) tërheqin një numër të madh të zogjve, si mjellmat dhe rosat e egra.
Gabimi njerëzor, presioni natyror gjeotermal, mineralet dhe dielli, kanë krijuar këtë pamje të mrekullueshme që duket sikur të mos ishte në Tokë. /NGJYRA.COM/