Papua Guinea e Re është një nga vendet më heterogjene etnike e gjuhësore të botës, në të cilin jetojnë me qindra fise të ndryshme, me kultura dhe tradita të ndryshme. Në këtë vend fliten më shumë se 700 gjuhë, prej të cilave zyrtare është gjuha angleze, ndonëse vetëm 2% e popullsisë e kupton atë.
Luftërat ndërfisnore në këtë vend nuk kanë pushuar për qindra vjet dhe secili fis i ka arsyet e veta për luftë. Disa luftojnë për territor, të tjerët për ushqim, ndërsa të tretët vetëm për shkak se nuk dinë se si të jetojnë në paqe.
Me shpresën për t’i dhënë fund këtyre luftërave, çdo vit Festivali Sing-Sing mbledh më shumë se 100 fise në një vend ku të gjithë kanë mundësinë t’i paraqesin kulturën, traditat, kostumet e vallet e tyre.
Festival Sing Sing (i njohur edhe si Goroka Show) është organizuar për herë të parë në vitin 1957, në Goroka, kryeqytetin e provincës së Gorokës Lindore dhe kjo traditë vazhdon edhe në ditët e sotme.
Çdo vit, kah mesi i shtatorit, më shumë se 100 fise arrijnë në Goroka për të promovuar paqen përmes muzikës, valleve dhe kulturës.
Secili prej fiseve që merr pjesë në këtë festival e paraqet stilin e vet unikat të modës dhe muzikës, duke krijuar një spektakël të mahnitshëm me ngjyra dhe tinguj.
Kostumet që i veshin janë pjesë e traditës së stërgjyshërve të tyre, ndërsa fytyrat ata shpesh i ngjyrosin me ngjyrë të verdhë, të bardhë dhe të kuqe, të cilat përfaqësojnë zogjtë, drunjtë dhe shpirtërat e maleve. /NGJYRA.COM/