Banorët e Cape Town, një nga tri qytetet kryesore të Afrikës së Jugut, në gusht te vitit 2008, patën mundësinë që ta shohin për së afërmi një nga fenomenet jashtëzakonisht të rralla natyrore të quajtur “shkuma e detit”.
Përveç banorëve të Cape Town, një vit më herët edhe banorët e Yambas (New South Wales) qenë dëshmitarë të një fenomeni të tillë.
Sasi të mëdha të shkumës së detit janë shënuar edhe në vitin 2007 në brigjet Caloundra në Australi, në vitin 2013 në Sunshine Coast dhe në vitin 2011 në brigjet e Cleveleys në Angli ku trashësia e shkumës kishte arritur deri në një metër.
Kjo ngjarje e pazakontë e cila e bën ujin të duket si filxhan me kapuçino ndodh atëherë kur rritet përqëndrimi i substancave të tretura organike të derdhura në ujë nga bregu apo nga algat e kalbura.
Rrymat e forta të ujit i përziejnë papastërtitë me ujin, duke krijuar flluska të imëta të cilat “i bashkojnë forcat” dhe shkaktojnë këtë ngjarje të rrallë.
Pranë bregut, valët fillojnë t’i shtyjnë kah sipërfaqja këto flluska të vogla të cilat në fund përfundojnë në breg në formë të shkumës.
Ekspertët besojnë se era luan një rol të madh në formimin e këtij lloji të shkumës. Per shembull, nëse shpejtësia e erës është më e madhe se gjashtë metra në sekond, atëherë shkuma nuk formohet.
Në atë rast, ajo shfaqet në sipërfaqen e ujit, por jo si një tërësi, por në formën e një morie copash të vogla të veçanta të shkumës. /NGJYRA.COM/