Rreziku, armiqësia dhe temperaturat ekstreme më së miri përshkruajnë Erta Alenë – njërin ndër lokacionet më të ngrohta dhe më të paarritshme në Tokë.
Erta Ale, që gjendet në regjionin Afar në Etiopinë Verilindore, afër kufirit me Sudanin e trazuar politikisht, në ditët më të ftohta arrin temperaturën prej rreth 25 gradë celsius, ndërkaq në ditët më të ngrohta shumë shpesh mund të kalojnë edhe 47 gradë celsius.
Temperaturat ekstreme nuk mjaftojnë që t’i largojnë turistët kureshtarë, këtë me siguri do ta bëjnë banorët e regjionit – populli Afari i cili numëron pothuajse një milion banorë dhe i cili me vite ka raporte të këqija politike me Qeverinë e Etiopisë.
Afarët (apo danakilit) kanë reputacion legjendar të urrejtjes ndaj të huajve. Ciceronët turistikë gjithmonë rekomandojnë “një apo dy roja të armatosur apo policë” me rastin e vizitës së Erta Alesë.
Ka raste kur shkencëtarët, turistët apo kalimtarët e rastit nëpër këtë regjion janë kidnapuar, apo edhe janë ekzekutuar menjëherë.
Erta Ale është vullkan aktiv i cili ka dy liqene lave – gjë që e bëjnë unik në botë. Këto liqene lave gjithashtu janë edhe më të vjetrat në botë, ndërkaq vullkani është vazhdimisht njëri ndër më aktivët.
Që kur është zbuluar, janë shënuar erupsione në vitet 1873, 1903, 1940, 1960, 1967 dhe 2005, kur i ka mbytur qindra kafshë, ndërkaq ka detyruar mijëra njerëz që t’i braktisin shtëpitë e tyre.
Në vitin 2007 sërish ka pasur një erupsion më të vogël, i cili ka marrë së paku dy jetë njerëzish.
Me gjithë kushtet e vështira, armiqësitë e vendësve, rrezikut nga erupsioni i vullkanit dhe vapës ekstreme, Erta Ale është bërë pikë turistike.
Derisa në vitin 2001 në këtë vend është shkuar vetëm me helikopter, sot turizmi ekipor aventurier po lulëzon, madje edhe banorët lokalë janë zbutur, andaj shpesh punojnë edhe si ciceronë. /NGJYRA.COM/
Photo Credits: Memepaspeurenethiopie & Explosiveaperture