Viza për qëndrim të shkurtër (Tipi “C”). Kjo vizë lëshohet për një, ose për disa vizita. Periudha e vlefshmërisë së saj ndryshon. Ajo nuk mundëson qëndrime që i tejkalojnë tre muaj brenda një periudhe gjashtë mujore.
Vizat transit për aeroport (Tipi “A”). Kjo vizë kërkohet për kombësitë e vendeve të treta të caktuara të cilat fluturojnë në një vend tjetër të tretë, mirëpo të cilat ndalojnë ose transferohen në një aeroport të një Shteti Schengen. Gjatë këtij transferimi ose ndalimi, këta persona duhet të qëndrojnë brenda zonës së aeroportit pa hyrë në territorin e Shtetit Schengen në fjalë.
Ku mund të aplikoj?
Nëse dëshironi të udhëtoni në një Shtet Schengen, konsullata e atij shteti duhet të shqyrtojë aplikacionin tuaj.
Nëse doni të udhëtoni në më shumë se një shtet Schengen, aplikacioni juaj duhet të shqyrtohet nga ana e Konsullatës së destinacionit tuaj kryesor. Destinacioni kryesor nënkupton destinacionin ku ju doni ta kaloni pjesën më të madhe të kohës ose i cili është qëllimi kryesor i udhëtimit tuaj.
Shembuj praktikë:
Nëse doni që të udhëtoni nëpër shtetet Schengen për tre javë, duke i kaluar dy javë në Gjermani dhe një javë në Francë, ju duhet të aplikoni për vizë Schengen në konsullatën gjermane.
Nëse nuk është e mundshme që të përcaktoni “destinacionin kryesor” të udhëtimit tuaj, ju duhet të aplikoni për vizë në Ambasadën/Konsullatën e shtetit Schengen në të cilin do të hyni së pari gjatë udhëtimit tuaj.
Shtetet vijuese Schengen i pranojnë aplikacionet dhe i lëshojnë vizat në Prishtinë:
Austria dhe Franca (përmes Ambasadës së Zvicrës), Belgjika, Danimarka (përmes Ambasadës së Norvegjisë), Estonia (përmes Zyrës Italiane për Aplikim për Viza), Finlanda, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia (përmes Ambasadës së Sllovenisë), Luksemburgu dhe Holanda (përmes Ambasadës së Belgjikës), Norvegjia, Sllovenia dhe Zvicra.
Nëse shteti i destinacionit tuaj nuk është në listën e mësipërme, ju lutem shikoni seksionin Detajet kontaktuese për përfaqësuesit konsullorë të Shteteve Schengen.
Ku mund të udhëtoj me një vizë që më është lëshuar nga Shtetet Schengen?
Vizat për qëndrim të shkurtër që lëshohen nga shtetet Schengen vijuese në pasaportat e Kosovës ju mundësojnë që të udhëtoni në të gjitha Shtetet Schengen, përveç Spanjës, Sllovakisë dhe Greqisë: Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Suedia dhe Zvicra. Vizat për qëndrim të shkurtër që lëshohen nga Spanja, Sllovakia dhe Greqia janë të kufizuara në aspektin territorial vetëm sa i përket Spanjës, Sllovakisë dhe Greqisë.
Sa duhet të paguaj për ngarkesën për viza?
Të gjitha Shtetet Schengen kërkojnë pagesën prej 35€ për vizat me qëndrim të shkurtër, përveç: Austria, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Islanda, Italia, Letonia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Zvicra. Pagesa për vizë që ngarkohet nga këto vende është 60€.
Në përgjithësi, ngarkesa për vizë nuk kthehet më pa marrë parasysh vendimin përfundimtar lidhur me aplikimin tuaj për vizë.
Si duhet të aplikoj për një vizë?
Nëse është e mundshme, ju duhet të përpiqeni që të dorëzoni shumë më herët aplikimin për udhëtimin që doni, mirëpo jo më herët se tre muaj para fillimit të vizitës që planifikoni. Aplikuesit mund të kërkohen që të caktojnë një termin për dorëzimin e aplikacionit të tyre. Ky termin, si rregull, duhet të caktohet brenda periudhës dy javore prej kohës kur është kërkuar termini. Kur të dërgohet aplikacioni, ju duhet të:
- paraqitni formularin e aplikimit. Ju lutem gjeni këtu formularin e zakonshëm për aplikim që është në dispozicion më të tri gjuhët (Shqip, Serbisht dhe Anglisht).
- paraqitni një dokument të vlefshëm udhëtimi
- paraqitni një fotografi që është bërë së fundi (jo më të vjetër se 6 muaj), të përshtatshme për pasaporta biometrike, dhe madhësi pasaporte
- në disa raste kërkohet edhe marrja e gjurmëve të gishtave
- pagesa për vizë
- ofrimi i dokumenteve mbështetëse
- dëshmia e sigurimit mjekësor të vlefshëm për udhëtim
Për më shumë informata rreth procesit të aplikimit, ju mund t’i referoheni Shtetit Schengen të destinacionit tuaj (shihni seksionin Detajet kontaktuese për përfaqësuesit konsullorë të Shteteve Schengen.)
Sa zgjat procedura e vendimmarrjes?
Në parim, vendimi duhet të merret brenda15 ditësh kalendarike pasi të jetë pranuar aplikacioni. Në raste individuale, afati i fundit mund të zgjatet deri në maksimum 30 ditë kalendarike. Për më shumë informata rreth procesit të aplikimit, ju mund t’i referoheni Shtetit Schengen të destinacionit tuaj (shihni seksionin Detajet kontaktuese për përfaqësuesit konsullorë të Shteteve Schengen.)
Si do të njoftohem për refuzimin e vizës?
Refuzimi i vizës si dhe arsyet në të cilat është bazuar ai vendim do të tregohen përmes një forme standarde . Ju keni të drejtë që të ankoheni për përgjigje negative në përputhshmëri me ligjin kombëtar të Shtetit Schengen i cili ka refuzuar aplikimin tuaj. Shteti Schengen në fjalë duhet t’ju tregojë procedurat specifike për ankesë.
Burimi: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë