Topat dhe baruti ishin ato që, në shekullin XV, ndryshuan mënyrat e luftimit të deriatëhershëm – ndërsa taktikat e reja të sulmit, kërkonin dhe mënyra të reja të mbrojtjes, sepse fortesat klasike nuk qenë më në gjendje të mbijetonin rrethimin dhe gjëmimin e topave të kundërshtarit.
Një mënyrë e re e ndërtimit të fortifikatave kishte lindur në Evropë, të cilin shumë shpejt e përvetësuan dhe popujt tjerë si, indianët dhe japonezët.
Fortesat e reja, filluan të ndërtoheshin në formë të yllit, ndërsa kishin shumë bastione në formë trekëndëshi, të dizajnuara asisoj që të mbulonin njëri tjetrin – por dhe moçale e kanale të thella me ujë rreth tyre.
Muret mbrojtëse ishin më të ulta, por shumë më të gjera, ndërsa para tyre ishte vendosur dheu i pjerrtë që duhej t’i mbronte ato nga artileria armike.
Një fortesë e tillë sot mund të shihet në Holandë – e quajtur Fortesa Bourtange, që gjendet në fshatin me të njëjtin emër, në Groningen të Holandës.
Kjo fortesë është ndërtuar në vitin 1593, nën urdhërat e sundimtarit William I, në mënyrë që të kontrollonte rrugën e vetme mes Gjermanisë dhe qytetit të Groningenit – i cili në atë kohë sundohej nga spanjollët.
Gjatë luftës 80-vjeçare, spanjollët e kontrollonin Groningenin dhe rrugën që shpiente drejt Gjermanisë – ndërsa Williami, udhëheqës i Holandës, kishte vendosur të ndërpriste këtë komunikim. Mënyra më e mirë për të bërë një gjë të tillë, ishte ndërtimi i një fortese të pamposhtshme.
Në zemër të kësaj fortese gjendej sheshi ku kryqëzoheshin rrugët që shpienin drejt bastioneve, që ishin llogore mbrojtëse.
Mu në vitin kur kishte përfunduar ndërtimi i fortesës, forcat spanjolle kishin kryer një sulm të fuqishëm ndaj saj, por që kishte rezultuar i pasuksesshëm.
Në vitin 1672ndërkaq, këtë fortesë e sulmuan gjermanët, pasi me sukses kishin pushtuar 28 qytete holandeze.
Ata kishin kërkuar që fortesa të dorëzohej pa luftë, dhe për këtë gjë – guvernatorit të saj, kapiten Prottsit, i kishin ofruar 20.000 guldenë (monedha të arit).
Megjithatë, kur – sipas legjendës – kapiteni kishte refuzuar kërkesën dhe ofertën e tyre dhe u kishte thënë se ka plumba për çdo armik, gjermanët e kishin sulmuar fuqishëm fortesën – por ajo sërish u tregua e pamposhtshme.
Në vitin 1851, Fortesa Bourtange ishte shndërruar në fshat, ndërsa 100 vjet më vonë – pushteti kishte vendosur që t’ia kthente asaj dukjen fillestare, dhe kështu, mes viteve 1740-1750, ajo sërish ishte shndërruar në fortifikatë dhe qe shpallur muze historik. /NGJYRA.COM/