Booby këmbëkaltër (Sula nebouxii) është një nga zogjtë më të çuditshëm që mund të haset në natyrë. Emri i tij rrjedh nga fjala spanjolle Bobo, do të thotë “trap” ose “gaztor”.
Këtë emër e ka marrë për shkak të sjelljes së tij komike dhe disi të ngathët gjatë manovrimit në tokë. Po ashtu konsiderohet pak i trashë për shkak të guximit të tij, e veçanërisht për mënyrën në të cilën meshkujt iu vardisen femrave.
Meshkujt e këtyre zogjve kanë sjellje shumë të ngjashme me meshkujt e ngathët (tek njerëzit) që përpiqen ta bëjnë për vete vajzën e ëndrrave të tyre duke bërë budallallëqe.
Fillimisht fryhen duke e nxjerrur gjoksin jashtë, i hapin krahët e i hedhin në shpinë dhe iu fishkëllejnë femrave që kalojnë pranë tyre. Me këtë rast ata po ashtu bëjnë skena duke parakaluar me këmbët e tyre të kaltra për orë të tëra, derisa t’ia tërheqin vëmendjen ndonjë femre.
Shpesh në prani të femrës, mashkulli e ngritë herë njërën këmbë, e herë tjetrën, i hapë krahët dhe e ngritë qafën përpjetë sa më lartë që mundet, derisa gjatë kësaj kohe femra e ndrojtur e fshehë kokën nën krahët e saj.
Natyrisht, ata me këmbët më të kaltra, e gjejnë partneren më shpejtë. Kur ta përfundojë parakalimin vardisës, lavdërimin me këmbët e kaltra dhe fishkëllimat, dhe kur më në fund e gjenë partnerën e tij, Trapi Këmbëkaltër e fillon jetën e tij në çift me partneren, të cilës zakonisht i qëndron besnik gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës.
Këta zogj jetojnë 15-20 vjet, rriten deri në 90 cm, jetojnë kryesisht në zonat shkëmbore në disa vende të Paqësorit Lindor, ndërsa numri më i madh i tyre, rreth 20 mijë çifte, jeton në Galapagos. /NGJYRA.COM/