Bima ekzotike “e cila ha dele” për herë të parë ka lulëzuar vjet në Shoqatën Mbretërore të Hortikulturës në Britani të Madhe, pas kultivimit 15-vjeçar. Bima “Puya Chilensis” tashmë 15 vjet është në këtë kopsht, është e lartë katër metra e gjysmë dhe ka formuar bazën dalluese me ferra të mprehta.
Natyrisht, emri i popullarizuar i kësaj bime nuk është plotësisht i saktë, mirëpo, gjithsesi ajo ushqehet me mish kafshësh.
Në ambient natyror në Kili, kjo bimë shfrytëzon ferrat që të mbërthejë delet dhe kafshët e vogla të cilat ndodhen rastësisht afër saj. Pasi që kafshët të ngordhin nga uria dhe të shpërbëhen, ato shërbejnë si pleh me të cilin ushqehet kjo bimë në tokë.
Në kushtet e kontrolluara në Shoqatën Mbretërore të Hortikulturës kjo bimë është kultivuar nëpërmjet dietës me pleh të lëngshëm.