Në mes të shkretëtirës së ashpër të Mauritanisë, në vitin 777 u themelua qyteti Chinguetti në të cilin ende gjenden pesë biblioteka pothuajse të paprekura përplot me dorëshkrime të vjetra, si dhe disa prej teksteve më të rëndësishme islame në botë.
Ky qytet brenda një kohe të shkurtër ishte shndërruar në një nga qendrat e pakta të rëndësishme tregtare në shkretëtirë dhe në një vend të rëndësishëm takimi për pelegrinët islamë në rrugën e tyre për në Mekë.
Njerëzit e shumtë që kalonin vazhdimisht nëpër këtë qytet kishin lënë në të shumë libra dhe dorëshkrime të ndryshme, andaj me qëllim të ruajtes së tyre, zyrtarët e këtij qyteti kishin vendosur që t’i ndërtojnë pesë biblioteka të vogla.
Duke iu përmbajtur traditës origjinale për shekuj me radhë, të gjitha bibliotekat në Chinguetti kanë ngelur pothuajse të paprekura edhe sot e kësaj dite, ndërsa me kalimin e kohës librat dhe dorëshkrimet në to janë duke u bërë gjithnjë e më të vlefshme.
Mjerisht këto tekste me rëndësi historike janë në rrezik të madh që të shkatërrohen nga ajri i thatë dhe rëra, meqë qyteti Chinguetti është duke u kërcënuar nga zgjerimi agresiv i shkretëtirës së Saharasë e cila e rrethon atë.
Ndonëse ka përpjekje që librat dhe dorëshkrimet nga këto biblioteka të zhvendosen në një vend ku ato do të jenë shumë më mirë të mbrojtura, zyrtarët e këtij qyteti ende nuk pranojnë që të heqin dorë prej tyre.
Në përpjekje për t’i shpëtuar këto biblioteka, UNSECO i ka shpallur (në vitin 2000) Chinguettin dhe vendbanimet e tjera të lashta përreth si trashëgimi kulturore botërore, por për fat të keq politika lokale nuk është duke treguar shumë interesim për projekte të tilla. /NGJYRA.COM/