Venecia njihet si Mbretëresha e Adriatikut, Qyteti mbi ujë, Qyteti i dritës, ndërsa shpesh konsiderohet dhe si qyteti më i bukur në botë. Për shkak të Venecies, shumë qytete tjera të bukura të Evropës kanë mbetur në hije. Një prej tyre është padyshim dhe qyteti Aveiro në Portugali.
Rrugët e ngushta, ndërtesat përplot ngjyra – që janë nën mbrojtje të UNESCO-s – plazhet me rërë dhe popullata mikpritëse, janë vetëm disa aspekte që e bëjnë Aveiron një margaritar të fshehur të Portugalisë.
Metropol industrial, por dhe një qytet i mahnitshëm, Aveiro është ndërtuar buzë rrjetit të kanaleve, prandaj shumëkush e krahason atë me Venecian.
Aveiro ndodhet në pjesën perëndimore të Portugalisë, 260 km në veri të Lisbonës. Zona ku është ndërtuar ky qytet ishte e banuar qysh në kohët parahistorike, ndërsa si vendbanim i tanishëm Aveiro është themeluar në shekullin e 10-të.
Maurët e mbajtën nën okupim Aveiron deri në shekullin e 11-të, kohë kur ky qytet u bë shumë i popullarizuar për familjen mbretërore të Portugalisë.
Në këtë qytet jetojnë rreth 73.000 banorë me standard të lartë jetësor dhe me shkallë shumë të ulët të papunësisë.
Edhe pse nuk është i famshëm sikur Venecia, Aveiro çdo vit vizitohet nga një numër i madh turistësh, që kënaqen me trashëgiminë arkitektonike të tij, siç janë katedralet, pastaj kanalet dhe plazhet e gadishullit Sao Jacinto. /NGJYRA.COM/