Veturat me motorë pneumatik, pra, që lëvizin me fuqinë e ajrit, në të kaluarën kanë qenë të gjykuara me dështim – për shkak të fuqisë së vogël dhe afatshkurtër të energjisë që mund të prodhonin.
Sidoqoftë, ky kufizim i deritashëm teknologjik nuk i ka shkurajuar kompanitë, “Motor Development International” (MDI) nga Luksemburgu dhe “TATA motor company” nga India, që t’i bashkojnë forcat për të prodhuar një makinë-kapsulë që lëvizë me forcën e ajrit, e të cilën shumë shpejt mund ta shohim në rrugët tona.
Dizajni bazik i tanishëm parasheh përdorimin e motorëve penumatikë që do të lëviznin këtë kapsulë me tri rrota, të njohur me emrin AirPod. Në një mënyrë, ajo tashmë është dizajnuar për t’u prezantuar në tregun gjigant të Indisë, ku miliona makina të vogla tri-rrotëshe lëvizin rrugëve të këtij vendi, por që për shkak të vjetërsisë së tyre, ndikojnë dukshëm në ndotjen e ajrit.
Dizajnerët, respektivisht projektuesit e këtyre veturave kapsulë, kanë ideuar një kabinë kompakte me rrota të vogla që nuk arrin shpejtësi të madhe.
Thënë ndryshe, këto vetura-kapsulë do të jenë të ngjashme me makinat rrangallë tri-rrotëshe që po qarkullojnë që 50 vjet nëpër rrugët e Indisë, shtetit të dytë më të populluar në botë – por do të jenë ekologjike sepse do të lëvizin me ajër.
Modelet e projektuara peshojnë rreth 200 kg dhe secila kapsulë ka kapacitet prej 175 litrash ajër – që mjaftojnë për 128 km rrugë. Pas kësaj distance, rezervuari mund të mbushet shumë shpejt, ndërsa shpejtësia maksimale e këtyre veturave është 80 km/h, që është gjithsesi më e mirë se ajo e rrangallave që qarkullojnë rrugëve të Indisë.
E vetmja brengë e deritashme e projektuesve dhe financuesve të këtij projekti ishte distanca që mund ta përshkojnë këto vetura me një mbushje – e cila pritet të rritet me kalimin e kohës – madje tashmë po punohet në veturat-kapsulë që do të mund të arrinin 800 km me një mbushje ajri.
Kjo gjë pritet të arrihet me përdorimin e një sasie të limituar të benzinës që do të ngrohte ajrin që do të shfrytëzohej nga motorët e këtyre veturave.
Sidoqoftë, kjo teknologji ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, mirëpo kompania amerikane “Zero Pollution Motors”, tashmë e ka blerë të drejtën e shfrytëzimit të kësaj teknologjie, të cilën synon ta prezantojë edhe në tregun amerikan.
Nëse ky projekt është ide e qëlluar drejt teknologjisë ekologjike në botën e makinave, mbetet të shihet, mirëpo me pak ndihmë nga qeveria edhe mund të jetë. /NGJYRA.COM/