Legjenda mbi gjuetarin e minjve, i përjetësuar edhe në operën e Moxartit “Fyelli magjik”, është përkthyer në më shumëse tridhjetë gjuhë. Ai i cili do të shëtisë nëpër Hameln, në të gjitha anët do të hasë në shenja të cilat tregojnë për atë legjendë.
Hamelnin e përbëjnë ndërtesa të shumta reprezentative të punuara në stilin e renesancës. Për shembull, Salla e kurorëzimeve, e ndërtuar nga ranishta midis viteve 1610 dhe 1617. Më herët ka qenë sallë e festave. Sot në të është zyra e kurorëzimeve. Për çdo ditë në orën 09:35, 37 kambana ekzekutojnë këngën mbi gjuetarin e minjve.
Më poshtë në fasadë tri herë në ditë hapen dyert e bronzta me figurat të cilat shoqërojnë legjendën mbi gjuetarin e minjve: në vitin 1284 në Hameln kishte ardhur një njeri i çuditshëm i cili ishte prezantuar si gjuetar i minjve. Banorët e Hamelnit i premtuan shpërblim të madh, po qe se zgjidh problemin lidhur me minjtë në qytet. Gjuetari i ra fyellit dhe të gjithë minjtë u nisën pas tij. I dërgoi jashtë qytetit dhe i orientoi drejt lumit ku edhe u mbytën.
Mirëpo, banorët e Hamelnit nuk e kishin mbajtur premtimin. Gjuetari u kthye sërish dhe filloi t’i bjerë fyellit dhe pas tij filluan të shkonin fëmijët, të cilët humbën pa gjurmë – hakmarrje e vrazhdë për banorët e Hamelnit. Një gravurë e gdhendur në vitin 1890 është punuar sipas pikturës së piktorit gjerman Gustav Shpangenbergut e tregon marrjen e fëmijëve.
Legjenda me siguri ka prapavijën historike. Supozohet se me fëmijët sunduesit e atëhershëm duke pushtuar territore banonin në Lindje. Në Muzeun e Hamelnit janë ekspozuar tekstet lidhur me historinë e qytetit dhe legjendën e njohur. Muzeu është vendosur në dy ndërtesa reprezentative të stilit të renesancës.
Ndërtesa e muzeut është e stolisur shumë me kolona, kurora dhe figura. Është ndërtuar në shekullin e 16-të për një tregtar të pasur. Në të shihet figura e Lukrecit, e cila simbolizon virtytin dhe bukurinë. Muzeu është hapur në vitin 1912.
Duke shëtitur nëpër qytet nuk mund të mos e vizitoni shtëpinë e gjuetarit të minjve, edhe një ndërtesë luksoze e renesancës. Sipas tij quhet që nga viti 1900, për shkak të mbishkrimit në njërin ndër trarët. Mbishkrimi flet për fyelltarin “me rroba ngjyrë të përhirtë”, i cili i ka rrëmbyer 130 fëmijë.
Në çdo qoshe turistët i presin bizhuteritë e rastit. Për shenjën e vet mbrojtëse, Hamelni ka zgjedhur Gjuetarin e minjve dhe gjithë atë që ka lidhje me legjendën. Çdo artikull ka shitje të mirë – nga likeri i quajtur “Helm për minj” deri te fanellat dhe garniturat e veglave për buro me motive minjsh…
Legjenda mbi gjuetarin e minjve jeton posaçërisht çdo javë nga maji deri në shtator. Të rriturit dhe fëmijët e Hamelnit, rreth 80 veta, atëherë veshin kostumet dhe në qytetin e vjetër ekzekutojnë shfaqjen kushtuar legjendës, të cilën mesatarisht e shikojnë 2.000 njerëz.
Lumi në të cilin, sipas legjendës gjuetari i minjve i detyroi minjtë të hynin në të, quhet Vezere. Ai rrjedh nëpër qytet, ndërkaq veçanërisht pamja më e bukur e tij është nga kodra e qytetit e quajtur Kilt. Për shkak të legjendës mbi gjuetarin e minjve Hamelni edhe sot është shumë i njohur. /NGJYRA.COM/