Lago di Carezza (gjermanisht: Karersee) është një liqen i mrekullueshëm malor që gjendet në Dolomite, në Tirolin Jugor, në Itali. Banorët lokalë ndërkaq, këtë liqen e quajnë “Lec de ergobando”, që në përkthim do të thotë Liqeni i ylberit.
Këtë emër, ky liqen e ka marrë për shkak të spektrit të ngjyrave që mund të shihet në ujin e tij, si dhe për shkak të legjendës për nimfën nga Carezza.
Sipas legjendës – e cila përcillet mes banorëve të Tirolit Jugor, nga gjenerata në gjeneratë – shumë kohë më parë, nimfa e bukur e ujit jetonte në këtë liqen të virgjër, të cilin e quante shtëpi të saj.
Një ditë, derisa i bënte gërshetat në bregun e liqenit dhe këndonte qetë, atë e kishte dëgjuar magjistrari nga Masara. I dashuruar deri në veshë, ai u kishte kërkuar ndihmë shtrigave për ta fituar zemrën e nimfës.
Shtrigat e kishin këshilluar magjistarin që të maskohej si tregtar i stolive dhe të krijonte një ylber të madh përgjatë liqenit. Fatkeqësisht, magjistari kishte harruar të maskohej si tregtar stolish, kështu që nimfa e kishte zbuluar planin e tij, edhe pse ishte mrekulluar me ylberin.
Magjistari, i hidhëruar shumë me dështimin e planit, e kishte kapur ylberin prej qiellit, e kishte thyer atë copë e grimë, dhe e kishte hedhur në këtë liqen bashkë me stolitë.
Sipas legjendës, këto copëza të ylberit dhe margaritarët që i kishte hedhur magjistari në këtë liqen, shkëlqejnë edhe në ditët e sotme.
Edhe pse i gjithë rrëfimi është veç një legjëndë – banorët lokalë edhe më tutje këtë liqenë e quajnë Liqeni i ylberit, ndërsa këtë tregim e përcjellin në vazhdimësi të gjeneratat e reja. /NGJYRA.COM/