Mrekullitë në planin Tokë janë të pafundme. Një e tillë është dhe Parku kombëtar Timanfaya (Parque Nacional de Timanfaya) që gjendet në jugperëndim të ishullit Lanzarote, në ishujt Kanarie.
Ky park kombëtar spanjoll mbulon një sipërfaqe prej 51.07 km2, ndërsa i tëri përbëhet nga toka e kuqe vullkanike që ngjason shumë me sipërfaqen e planetit Mars.
Pjesa më e njohur e këtij parku, janë Malet e Zjarrta (Las Montañas del Fuego), të cilat cilësohen si “vendi më bukuri të jashtëzakonshme natyrore”, e që dikur ishin epiqendra e katastrofës vullkanike, që kishte ngjarë para më shumë se 250 vjetësh.
Erupsioni i Maleve të Zjarrta kishte zgjatur plot 6 vjet (1730 – 1736), ndërsa llava kishte mbuluar gjithë sipërfaqen e tokës, e cila punohej nga bujqit – duke e shndërruar atë në shkretëtirë të kuqe.
Banorët ndërkaq, ishin larguar me shpejtësi, duke lënë pas vetes bagëtinë dhe gjithë të mirat që kishin poseduar deri atëherë.
Një shpërthim më i vogël ishte regjistruar në vitin 1824, ndërkaq në vitin 1968, kjo zonë u shpall park nacional.
Sot, ndërkaq, Timanfayaështë atraksion turistik, i njohur për pamjet që ngjasojnë me Marsin dhe për disa bimë të rralla që arrijnë të mbijetojnë në këtë vend.
Vetëm disa metra nën sipërfaqen e tokës, në Timanfaya, temperatura arrin deri në 600 °C. Madje, nëse hedhni ndonjë dru të thatë në ndonjë vrimë të tokës, ai do të marrë flakë, ndërsa nëse hedhni ujë, ai do të avullojë përnjëherë si të ishte ndonjë mini gejzir. /NGJYRA.COM/