Abacia St. Gallenështë një kompleks kishtar në qytetin St. Gallen të Zvicrës, ku gjendet një prej bibliotekave më të vjetra dhe më të bukura në Evropë. Aty ruhen dorëshkrimet shumë të çmuara, në mesin e të cilëve dhe vizatimi më i vjetër arkitektonik në botë.
Abacia është themeluar nga Shën Otmari, në vitin 719, ndërsa gjatë shekujve të mëvonshëm ajo ishte pushtuar e madje edhe plaçkitur disa herë nga sundues të ndryshëm.
Kjo abaci, që sot shërben si katedrale, është rinovuar me stilin e bukur arkitektonik barok në vitet 1755-1768.
Sot ndërkaq, në bibliotekën e katedralës së St. Gallen-it, mund të gjendet koleksioni më i plotë i dorëshkrimeve në gjuhën gjermane të periudhës së hershme të Mesjetës, si dhe 160.000 tituj librash, 2.100 prej të cilëve janë po ashtu dorëshkrime.
Gjysma e titujve janë të periudhës së Mesjetës, ndërsa 400 tituj janë më të vjetër se 1000 vjet. /NGJYRA.COM/