Një garë interesante e pikturimit mbahet çdo vit në muajin maj, në provincën Yunnan të Kinës, ku artistë nga vende të ndryshme mblidhen për të bërë vizatime interesante mbi trupat e demave.
Pikturimi mbi trupat e këtyre kafshëve shtëpiake është një traditë antike në këtë provincë kineze. Sipas një legjende, shumë kohë më parë, fshatarët kishin parë një tigër duke e sulmuar një dem dhe gjatë luftës mes tyre ata ishin rrokullisur në një fushë përplot baltë – dhe kur demi kishte dalë nga balta, ai kishte marrë pamje aq të frikshme, sa që tigri ishte frikësuar tejmase dhe kishte ikur më të katra.
Kështu, banorët lokalë besonin se pikturimi mbi trupat e demave do t’i bënte ata më të frikshëm dhe do t’i mbante larg tyre shtazët e egra.
Tashmë kjo traditë është shndërruar në festival tradicional, i cili mbahet çdo vit për të nderuar të korrat dhe kopetë e bagëtive, ndërsa në kuadër të tij zgjedhen dhe punimet më të mira. /NGJYRA.COM/