Casa Terracotaështë një shtëpi e pazakonshme, e ndërtuar nga argjila e pjekur në temperatura të larta – për të qenë e rezistueshme ndaj shiut dhe tërmetit, dhe njëkohësisht, të përmbajë klimë të përshtatshme në të gjitha kushtet klimatike.
Kjo shtëpi është ndërtuar nga arkitekti kolumbian, Octavio Mendoza, i cili këtë shtëpi e ka quajtur si “copën më të madhe të qeramikës në botë”.
Shtëpia, të cilën banorët lokalë e quajnë “Casa de Flintstones”, gjendet në Villa de Leyva, një fshat malor, 150 km në veri të Bogotës, në Kolumbi.
Mendoza (65-vjeçar), arkitekt dhe ambientalist, gjatë karrierës së tij të deritashme, ka projektuar shumë shtëpi, ndërtesa dhe kisha – ndërkaq, në projektimin e Casa Terracota, ka punuar plot 14 vjet.
Shtëpia Terracota shfrytëzon penelet solare, ka banjë si çdo shtëpi tjetër, dy etazhe, ndërkaq të gjitha mobiliet janë të punuara nga argjila. Madje edhe enët janë të punuara nga argjila, të cilën Mendoza e kishte gërmuar pranë shtëpisë së tij dhe më pastaj e kishte pjekur.
Në këtë shtëpi nuk jeton askush, sepse arkitekti e dinte se ajo do të duhej të ishte një “model”, për t’iu treguar njerëzve se vetëm me resurset natyrore, siç është argjila, mund të punohet një shtëpi, pra pa çimento, dru ose çelik.
Të gjithë vizitorët janë të mirëpritur në këtë shtëpi, vetëm se hyrja brenda saj kushton 3.50 dollarë. /NGJYRA.COM/