E njohur si simbol ikonik i qytetit Khiva në Uzbekistan, Minareja e Vogël (Kalta Minor), e cila gjendet përpara fasadës së medresesë së Muhamed Amin Khanit, është e mbuluar me pllaka të holla me ngjyrë të kaltër dhe të gjelbër – të cilat e bëjnë të dalë në pah dhe të dallohet nga godinat e ndërtuara përreth.
Sipas legjendës, ndërtimi i kësaj minareje ka filluar në vitin 1852 me urdhrin e sundimtarit të Khëarezmit, Mohammad Amin Khan, për të cilin thuhet se donte të kishte një minare aq të lartë saqë prej saj të mund ta shihte gjithë rrugën për në Buhara, që ishte gati 400 km larg prej Khivas.
Disa thonë se, po të përfundohej kjo minare, e cila ishte menduar të jetë 70- 110 metra e lartë, do të bëhej edhe struktura më e lartë në Azinë Qendrore.
Punët për ndërtimin e saj u ndërprenë, për të mos vazhduar më kurrë, pas tri vjetësh – kur Mohammad Amin Khan ishte vrarë në luftë me Turkmenët në Serakh.
Gjatë këtyre tre vjetëve ishin ndërtuar vetëm 26 metra të kësaj minareje me diametër të bazës prej 14.5 metrash, andaj vendasit kishin filluar ta quajnë atë Kalta Minor apo “Minareja e vogël”.
Kalta Minor është e vetmja minare e mbuluar plotësisht me pllaka të lëmuara me shkëlqim, që formojnë zbukurime të ndryshme të ndërlikuara shumëngjyrëshe, prej të cilave dominojnë ajo e gjelbër dhe e kaltër.
Përndryshe, ngjyra e kaltër është ngjyra që është përdorur më së shumti për zbukurimin e shumë ndërtesave historike të vendeve të Azisë Qendrore, e veçanërisht Uzbekistanit. /NGJYRA.COM/