Muri i dashurisë, i quajtur “Të dua”, gjendet në qendër të kopshtit të Montmartre, në Paris, ndërkaq zë një sipërfaqe prej 40 metrash katrorë.
Ky mur përbëhet prej 612 pllakave të gurit vullkanik, ndërsa fraza “Të dua” është e shkruar mbi të 1.000 herë – dhe atë në 300 gjuhë të ndryshme, mes tyre edhe në gjuhën shqipe.
Muri është konceptuar nga artistët Frederic Baron dhe Claire Kito – ndërsa ideja ishte që në këtë qytet të çifteve të dashuruara të ngritet një përmendore e dashurisë së përhershme.
Frederic Baron i ka mbledhur frazat e dashurisë në 300 gjuhë të ndryshme duke trokitur në dyert e ambasadave dhe të fqinjëve të tij, ndërkaq, artistja Claire Kito, e cila merret me kaligrafinë orientale, i ka shkruar ato në murin e dashurisë.
Copat e ngjyrës së kuqe në këtë mur paraqesin pjesët e një zemre të thyer – një zemre të njerëzimit që ky mur përpiqet të mbajë në një vend – ka shpjeguar idenë e tij Baron. /NGJYRA.COM/