Lumi Zambezi, i cili ndan Zambinë dhe Zimbabvenë është një nga kufijtë më të bukur natyror ndërmjet dy shteteve, meqë në të gjenden ndr ujëvarat më spektakolare në botë, Ujëvarat e Viktorisë, të cilat me një gjerësi prej 1.708 metrash dhe lartësi prej 108 metrash janë në mesin e ujëvarave më të mëdha në botë.
Reja e stëpikëve të ujit që ngrihet në një lartësi deri në 300 metra sipër humnerës, ndonjëherë mund të shihet edhe nga distanca prej 40 kilometrash.
Gjatë sezonit të shirave, këto ujëvara me 10.000 metra kub ujë në sekond, krijojnë perden më të madhe të ujit në botë.
Reja e ujit e Ujëvarave të Viktorisë e krijon ekosistemin e vet, i cili përngjan me atë të pyjeve tropikale.
I tërë Parku Kombëtar Mosi-Oa-Tunya, ku gjenden ujëvarat, ka bimësi të harlisur dhe një faunë shumë të pasur. Këtu gjenden shumë llojë të kafshëve si: elefantë, zebra, luanë, majmunë, krokodilë, shqiponja dhe më shumë se njëqind lloje peshqish.
Eksploruesi skocez, David Livingstone ishte perëndimori i parë që i gjeti këto ujëvara në vitin 1855. Ai i quajti ato Ujëvarat e Viktorisë për nder të mbretëreshës Viktoria, ndërsa për vendorët deri atëherë këto ujëvara ishin të njohur si Mosi-oa-Tunya, ose Tymi që bubullon. /NGJYRA.COM/