Tempulli i së Vërtetës, i njohur gjithashtu edhe si Shenjtorja e së Vërtetës, Wang Boran dhe Prasat Mai, është një tempull i cili ka kohë që është duke u ndërtuar në Pattaya të Tajlandës.
Ai është duke u punuar i tëri nga druri dhe duke u dekoruar me shumë skulptura me motive tradicionale budiste dhe hinduse.
Ndërtimi i këtij tempulli filloi në vitin 1981, si reagim ndaj Luftës së Ftohtë. Sipas filozofisë së tempullit, derisa njerëzit egoistë janë duke u përpjekur për ta shkatërruar botën me ndihmën e teknologjisë moderne, tempulli do të shërbejë si një kundërpeshë.
Sipas faqes zyrtare në internet, qëllimi i këtij tempulli është që ta përdorë artin dhe kulturën si “reflektim të vizioneve e njohurive të lashta në Tokë dhe filozofisë lindore”.
Brenda këtij kompleksi, vizitorët do ta kuptojnë jetën në kohët e lashta, përgjegjësinë njerëzore, mendimet bazike, ciklin e jetës, raportin e jetës dhe universit dhe qëllimin e përbashkët drejt “utopisë”.
Ky projekt u inicua nga biznesmeni tajlandez, Lek Viriyaphant, në vitin 1981, ndersa pritet të përfundojë në vitin 2025. /NGJYRA.COM/ Foto: Obvious/