Guelta d’Archei është një oazë që gjendet në zemër të shkretëtirës së Saharasë. Kjo është një zonë e rrallë e shkretëtirës ku uji nëntokësor shfaqet në sipërfaqe – duke krijuar kështu rezervuar të përhershëm të ujit.
Guelta d’Archei ndodhet në rrafshnaltën Ennedi, në verilindje të Çadit, ndërsa fshihet prapa kanionit që mbron atë nga kushtet e vështira klimatike të shkretëtirës.
Kjo oazë çdo ditë vizitohet nga qindra deve që vijnë këtu me pronarët e tyre për të pirë ujë dhe për të pushuar, para se të vazhdojnë rrugën e tyre të vështirë nëpër shkretëtirë.
Kjo traditë vazhdon që disa qindra vjet – ndërsa për shkak të numrit të madh të deveve që e vizitojnë dhe jashtëqitjeve të tyre – uji i kësaj oaze është përherë i zi.
Megjithatë, devetë nuk janë të vetmet shtazë që mund të gjenden në këtë oazë. Aty jetojnë edhe disa krokodilë të Nilit – që dëshmojnë se Seharaja dikur ishte një vend shumë më i plleshëm se në ditët e sotme.
Guelta d’Archei paraqet një prej kolonive të fundit të krokodilëve të Nilit në shkretëtirë. Ata ushqehen me peshqit – të cilët ushqehen me algat, që mbijetojnë në këtë ujë falë jashtëqitjeve të deveve.
Ndërkaq në shkëmbinjët rreth oazës gjenden vizatimet e ndryshme – që dëshmojnë se kjo oazë është mijëra vjet e vjetër. /NGJYRA.COM/