Të pakëta janë gjasat që shumica prej nesh t’i përjetojmë emocionet dhe atmosferën që krijohen nga përballja e trimave të timonit në garat si në Dakar, Gumball 3000 ose 24 Heures du Mans.
Për të marrë pjesë në këtë lloj të garave nuk ju nevojiten as mekanikë profesionalë, sponsorë e as automobila që vlejnë miliona euro. Karroca me dy rrota apo edhe një rrangallë e zhurmshme që vihet në lëvizje me motor, mjaftojnë që të kualifikoheni për të marrë pjesë në këto gara, në të cilat arritja në cak, pavarësisht i sati me radhë, vlerësohet dhe konsiderohet sukses për pjesëmarrësit.
Ju sjellim në vazhdim tri garat e çuditshme e të shkëlqyeshme, pjesëmarrja në të cilat është një përvojë unike.
Gara Rickshaw
Në një aventurë 3,500 km të gjatë, që zgjatë dy-javë nëpër Indi, me një mjet transporti që nuk dallon shumë nga një karrocë e pazarit me tri rrota, pa një rrugë të caktuar qartë dhe pa ekip mbështetës, vetëm dy gurë – një në pikën e nisjes dhe një në atë të mbarimit të garës – dhe ku pjesa tjetër e rrugës varet prej vetë pjesëmarrësit dhe kolegët e tyre, janë shumë të mëdha gjasat që pjesëmarrësit të humben, apo t’u prishet mjeti më të cilin garojnë dhe të mbesin rrugës.
Mjetet më të parehatshme të trasportit që mund të imagjinohen, trafiku i egër në qytetet e Indisë dhe rrugët e pashtruara, me pluhur dhe baltë jashtë tyre, e bëjnë këtë garë të paharrueshme për pjesëmarrësit.
Sfida Plymouth-Banjul
Që nga viti 2002, mjete transporti që kushtojnë shumë lirë, nisen nga Plymouth drejt jugut përmes Marokut, Saharasë Perëndimore, Mauritanisë dhe Senegalit për të përfunduar në Banjul, në Gambia.
Kusht është që me të arritur në cak, të gjitha mjetet duhet t’i dhurohen Komitetit të Kontrollit, i cili i nxjerrë ato në ankand dhe fondet nga shitja e tyre shfrytëzohen për nevoja të ndryshme vendore.
Duke mbuluar një distancë prej rreth 6 mijë kilometrash, përfshirë edhe dy ditë nëpër Shkretëtirën e Saharasë, kjo nuk është vetëm një garë e përballjes së trimave, por edhe një mënyrë e jashtëzakonshme për të përfituar nga pamjet e bukura të Afrikës dhe pamjet gjatë rrugëtimit.
Gara e Mongolisë
Më sfiduesja dhe më e mrekullueshmja nga të gjitha është kjo garë nëpër një terren të egër dhe jashtëzakonisht kaotik, që fillon nga Goodwood në Britani të Madhe dhe përfundon në Mongoli, me një gjatësi prej 16 mijë kilometrash.
Pjesëmarrësit kanë tri alternative të transportit: ndonjë mjet me kapacitet motori më të vogël se 1-litër, një motoçikletë nën 125cc ose një automjet qesharak të modifikuar jashtë çdo norme.
Varësisht ng ajo se sa herë garuesit e humbin rrugën dhe nga gjendja e makinave apo biçikletave pjesëmarrëse, çmimet e të cilave janë tejet të lira, kjo garë mund të zgjasë deri në një muaj.
Madje edhe ne faqen e internetit të organizatorëve thuhet: “Kjo garë nuk është një veprim i zgjuar e i sigurt dhe ju mund të mos e përfundoni atë, por kjo është aventura më e madhe në planet”. /NGJYRA.COM/