Shibam është qytet i lashtë, i pari në botë i cili ka pasur ndërtesa me pamje dhe funksionalitet të cilat ngjasojnë mjaft me ndërtesat e sotme.
Për herë të parë është përmendur në shekullin III para erës sonë, kur ka qenë kryeqytet i Mbretërisë Hadramaute.
Ky qytet gjendet në shkretëtirë në Mujhafazi Hadramanë jemenase, ndërkaq në perëndim është bërë i njohur si “Manhatani i Shkretëtirës”, pastaj si “Qyteti më i vjetër i shumëkatësheve në botë”.
Ky qytet i vogël shtrihet në sipërfaqe 400 x 500 metra katrorë, ka 7.000 banorë dhe rreth 500 ndërtesa të lashta të ngjeshura njëra me tjetrën të cilat janë prej 5 deri në 11 katëshe, të larta edhe deri në 30 metra.
Të gjitha ndërtesat janë bërë nga qerpiçë të tharë (argjilë dhe kashtë), ndërkaq konstruksioni i brendshëm është ndërtuar nga druri.
Katet e fundit janë të lyera edhe me gëlqere, në mënyrë që të pengohet dëmi nga shirat e rralla.
Shumica e ndërtesave, të cilat në Shibam i shohim tani, datojnë nga shekulli XVI. Fatkeqësisht, ky qytet ka qenë dëmtuar nga vërshimet në vitet 1532-1533, kur një numër i madh ndërtesash u shkatërrua tërësisht.
Megjithatë disa kanë shpëtuar dhe janë rindërtuar, ndër to është edhe Xhamia e Madhe e ndërtuar nga argjila e cila daton nga viti 753.
Shibami në vitin 1982 është vënë në listën e përmendoreve të trashëgimisë kulturore të UNESKO-s, ndërkaq vend i sigurt për turistë është bërë në vitin 2000.
Në vitin 2008 qytetin sërish e ka goditur shtrëngata monsune e cila ka shkaktuar përmbytje duke dëmtuar rëndë këto ndërtesa të lashta. /NGJYRA.COM/